Prej kur kanë nisur punimet për rikonstruksionin e shëtitores “Taulantia”, durrsakët por edhe mysafirët nga rrethet, e kanë patur të pamundur të bëjnë shëtitje në këtë territor, që për qytetin bregdetar është emblema e tij.

Në mungesë të shëtitoreve apo edhe parqeve, durrsakët si opsion për të shëtitur nuk kanë asnjë mundësi tjetër. Por deri në përfundim të punimeve, qytetarët duhet të presin edhe një vit tjetër. Mbyllja e punimeve është parashikuar në fund të vitit 2020, pavarësisht se në fundjavë punimet në projektin e rivitalizimit të shëtitores “Taulantia” vijojnë me ritme të larta nga firma zbatuese e projektit.

Në këtë shëtitore puna ka vijuar intensivisht për ndërtimin e shkallareve, për të krijuar një lidhje organike mes shëtitores dhe detit. Në bazë të projektit me vlerë 2,8 milionë euro, sheshet janë konceptuar të shtrirë drejt ujit, ndërsa po ndërtohen edhe shkallë me lartësi të limituar për një panoramë të dominuar tërësisht nga deti. Projekti për rikonstruksionin e shëtitores po e transformon atë në një hapësirë në shërbim të komunitetit.

Tradicionalisht shëtitorja “Taulantia” ka qenë vendi i shëtitjeve për banorët dhe turistët, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e zonës përreth përdoret nga shitësit ambulantë dhe lodra me pagesë. Krijimi i hapësirave të gjelbëruara, sistemi i ri i ndriçimit, këndet sportive dhe të lodrave, si dhe hapësirat që do të krijohen për spektakle dhe evenimente të vogla, do e kthejnë të gjithë shëtitoren në një zonë shumëfunksionale.

Ndërkohë, pjesë e projektit është edhe ndërtimi i “Sheshit mol”, në të cilin janë projektuar të mbillen pemë në të gjithë gjatësinë e tij, i cili rikthen lidhjet me zonën ku ndodhet Torra Veneciane dhe me portin e ri duke u zgjatur më pas në det. Ndërsa, monumenti ekzistues nuk do të preket, por do të qëndrojë brenda në park, ku do të do të aksesohet direkt nga sheshi i hyrjes. Projekti financohet nga qeveria shqiptare dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me bashkinë Durrës.

K.H.