Në qytetin e Durrësit ndodhen zyrtarisht rreth 130 pika bastesh sportive, 4 kazino dhe 2 bingo, që janë të licencuara. Realisht numri i tyre është më i madh, por funksionojnë në informalitet.

Efektet negative të funksionimit të këtyre bizneseve janë shumë të rënda për të rinjtë në përgjithësi, por dhe për familjet durrake. Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që në janar të këtij viti këto biznese të largohen nga rrugët kryesore në të cilat funksionojnë.

Fakt është se kudo nëpër qytetin e Durrësit vihet re prania e lojërave të fatit dhe basteve sportive. Ato janë vendosur shumë pranë shkollave apo në mes të bulevardit, çka ka bërë që të rinjve t’iu hyjnë në gjak këto lojëra fati që janë pa asnjë dobi për shoqërinë.

Pranë shkollave “Migjeni”, “Shaqe Mazreku”, “Mihal Ekonomi”, operatori i “DurrësLajm” sjell praninë e madhe të kazinove, lojërave të fatit e pikave të basteve sportive. Aksioni “Fundi i marrëzisë” që u mbështet gjerësisht 5 vite të shkuara në qytetin bregdetar, nuk i dha fund pranisë së pikave që nxisin vesin e kumarit pranë qendrave të banuara.

Në qytet, vesi dhe varësia ndaj kumarit kanë shkatërruar mjaft familje. “Po ndahen nga familja, nga gruaja, nga fëmijët. Marrin rrogën e çojnë aty. I marrin lekë prindërve e shkojnë aty. Bastet në qytet duhet të eliminohen menjëherë. Çfarë duhen ato?! Vetëm për të degjeneruar rininë, për të lënë familjet bosh e ndahen çiftet. Turp i madh. Nuk i shërben qytetarëve. Vetëm për të zhvatur. Kazinotë të zhduken. Të mos ketë. Në ka nga ata që duan të luajnë, që kanë para, kryeministrat e të tjerë t’i ndërtojnë andej nga duhet. Gënjehen fëmijët. Mashtrojnë prindërit: Jam në shkollë dhe dalin me ato dy lekë që u japin prindërit për të ngrënë e i lënë aty”, është opinioni i qytetarëve durrsakë.

K.H.