Çadra te stadiumi dhe qendër e hapur tek Kovaleshenca në Durrës për të pritur banorët banesat e të cilëve janë të dëmtuara.

Kryebashkiakja Valbona Sako bën të ditur për DurrësLajm se rreth 40 persona kanë kaluar natën tek çadrat e ngritura tek "Niko Dova" ndërkohë që në mëngjes ato janë larguar drejt shtëpive të tyre.

Në total, deri më tani rezultojnë 188 banesa të plasaritura dhe 9 pallate të krisura në Durrës dhe rrethina dhe dy shkolla “Qemal Mici” dhe “14 nëntori” që kanë plasaritje.

Kryebashkiakja Sako bën të ditur se shkollat kanë pësuar vetëm dëme të vogla, në to është duke u bërë pastrimi i ambienteve përreth dhe të hënën në mëngjes do të jenë gati për të pritur nxënësit.

Sipas Sakos, nga të dhënat e deritanishme në Durrës nuk ka banesa të pabanueshme.

Në Durrës janë ngritur dhe po funksionojnë pranë çdo njësie administrative grupet e konstatimit dhe verifikimit të dëmeve, të cilët janë duke pritur raportimet e qytetarëve dhe do të bëjnë më vonë konstatimet në terren për të verifikuar të gjitha banesat e dëmtuara.

Kryebashkiakja Valbona Sako bën të ditur se problematike situata është tek një pallat 12-katësh në lagjen nr.8 në Durrës, pranë drejtorisë së policisë, i cili ka një çarje në kolonë. Sipas saj, dëmtimi ka qenë i hershëm, pasi ka ardhur nga ndërhyrja e bërë nga një banor i pallatit dhe situata është përkeqësuar edhe më shumë pas lëkundjeve sizmike të forta. Pallati është ndërtuar në vitin 2004.