Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, sqaroi edhe një herë qytetarët që presin të riatdhesohen këtë fundjavë, se si duhet të rezervojnë biletën e tyre në AirAlbania, si dhe karantinimin 14-ditor në hotelet e Durrësit, që janë vënë në shërbim të tyre.

Ministrja tha se pas pak sistemi online do të jetë gati për të bërë rezervimet, ndërsa ka sqaruar edhe njëherë pagesën që do duhet të bëjë çdo qytetar për biletën dhe karantinimin.

Sqarimi i plotë:

Të nderuar bashkatdhetarë përshëndetje!

Pas pak sistemi online, i cili do t’Ju japë mundësinë të rezervoni riatdhesimin tuaj, do të jetë i gatshëm për t’u aksesuar.

Vizitoni faqen Airalbania.com.al dhe më pas rubrikën Riatdhesime. Klikoni në linkun e hoteleve, të cilat janë transformuar në struktura karantinuese Covid 19.

Lexoni me kujdes formularin e kushteve të karantinimit dhe vetëm pasi të shtypni butonin PRANOJ, do të mund të zgjidhmi dhomën tuaj të qëndrimit 14 ditor.

Do të ndalem këtu për t’ju qartësuar çështjen e pagesës, për të cilën ka pasur shumë komente ditët e fundit.

Kosto ditore e qëndrimit tuaj në karantinë është vlerësuar 21 euro personi në ditë, nga të cilat 14 euro, janë akomodim dhe fjetje që do të mbulohen nga Qeveria Shqiptare, ndërsa kosto ushqimore ditore prej 7 euro, do të mbulohet nga vetë personi.

Pasi të kryeni pagesën elektronike prej 98 eurosh, sistemi do të prodhojë vërtetimin e rezervimit tuaj, në të cilin do të gjeni një kod unik, që do t’ju shërbejë për rezervimin e biletës.

Kthehuni në faqen AirAlbania dhe me kodin unik që morët nga vërtetimi i akomodimit në karantinë, procedoni me rezervimin e biletës së avionit.

Pasi të keni përfunduar të gjithë procesin e rezervimeve do të jeni të gatshëm për të udhëtuar, sigurisht nëse dokumentacioni juaj identifikues është i vlefshëm dhe i plotë.

Të nderuar bashkëqytetarë!

Këshillohuni me ambasadat shqiptare në vendet ku ndodheni, për probleme të dokumentacionin identifikues.

Airalbania, e cila nis fluturimet këtë të shtunë drejt Romës, do të fluturojë gjithashtu në Milano, Bari, Frankfurt, Paris dhe Londër.

Sigurisht, ne do të vlerësojmë kërkesën tuaj për destinacione të tjera, por ju lutem mos harroni se sot përballemi me vështirësinë e një lufte të paprecedentë, ndaj dhe përpjekjet tona për të aksesuar çdo destinacion, hasin vështirësi të konsiderueshme.

Destinacionet, që sapo njoftova, janë pika kyçe, që ju japin mundësi dhe qytetarëve të tjerë, që ndodhen në Europë, Amerikë, Kanada e gjetke për t’i aksesuar.

Detajet e sakta për çdo fluturim do t’ju bëhen me dije nga Air Albania.

Çmimi i biletës së avionit varion sipas numrit të miljeve të fluturimit dhe aeroportit ku Air Albania do të ulet, por ju sigurojmë se Air Albania do të aplikojë çmime minimale thjesht për të mbuluar një pjesë të kostove të këtyre fluturimeve. Bileta nga Roma në Tiranë kushton 100 Euro.

Dua të theksoj se procesi i Riatdhesimit për ne është një operacion delikat, nga i cili varet siguria shëndetësore e të gjithë shtetasve shqiptarë, të cilët kanë sakrifikuar prej më shumë se 5 javësh duke respektuar rregullat dhe masat e marra për parandalimin e përhapjes së Covid 19, ndaj do të jemi të rreptë dhe nuk do të tolerojmë asnjë dalje nga protokolli i vendosur nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë.

Për çdo informacion shtesë, apo paqartësi që keni, Ju lutem drejtohuni në faqet zyrtare dhe përdorni numrat e telefonit të vendosura në dispozicion nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Jam e bindur se falë bashkëpunimin tuaj edhe ky operacion kompleks, do të realizohet me sukses, duke hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në luftën tonë të përbashkët kundër armikut të padukshëm, dinak dhe të rrezikshëm.

Ju falënderoj dhe ju uroj një udhëtim të mbarë!