Për herë të katërt, qytetarët kanë nisur sot protestën para Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, pas skandalit të korrupsionit me dosjen “5D”.

Në protestën e thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit marrin pjesë këshilltarë bashkiakë të opozitës si dhe deputetë nga Rithemelimi e Partia e Lirisë.

Sot protestuesit para bashkisë së Tiranës, kanë shtuar “arsenalin” që kanë përdorur për të gjuajtur drejt Bashkisë. Përveç mollëve, ata kanë hedhur në drejtim të bashkisë dhe portokalle.

Dera kryesore e bashkisë së Tiranës është rrethuar me barriera hekuri dhe një kordon policie është stacionuar për të penguar protestuesit që të mësyjnë në ambientet e brendshme të këtij institucioni të qeverisjes vendore.

Protesta e fundit ku flakadanë dhe molotovë u hodhën në drejtim të efektivëve, ka bërë që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë të marrë masa shtesë.

Mësohet se rreth 250 efektivë të FNSH janë pozicionuar midis Ministrisë së Brendshme dhe të Infrastrukturës, fare pranë vendit ku do të zhvillohet protesta.

Kryesisht janë forcat e FNSH, të mbështetura dhe nga reparti Shqiponja që do të jenë në gatishmëri për çdo moment kur mund të ketë tensione dhe përplasje, ndërsa nuk mungojnë as efektivët civilë, të cilët fillimisht janë vendosur në hyrje të godinës së bashkisë.