Këshilli Bashkiak i Maliqit u mblodh sot jashtë radhe me kërkesë të palës opozitare, por pas 20 minutash diskutime, nuk u arrit në një vendim pro apo kundër shkrirjes së bashkisë dhe bashkimit me atë të Korçës, sipas propozimit të PS.

Kjo mbledhje u organizua pas konsultimeve publike në të gjitha njësitë vendore të bashkisë.

Në rendin e ditës ishte parashikuar miratimi i qëndrimit zyrtar të këshillit bashkiak Maliq për t’ia përcjellë Kuvendit të Shqipërisë në kuadër të procesit të rishikimit të ndarjes administrativo-territoriale.

Këshilltarët e PD thanë se pjesa më e madhe e qytetarëve janë shprehur kundër shkrirjes së bashkisë.

“Komuniteti është shprehur 95-97% kundër bashkimit territorial. Në çdo krushqi, ka një vajzë dhe një djalë. Deri tani është pyetur Maliqi vetëm se çdo të bëjë se çfarë do të bëjë. Korça nuk ka asnjë prononcim, a na duan ata ne të shkojmë të bëjmë këtë martesë? Ky këshill e ka mbaruar legjitimitetin”, tha Yllson Braimllari, pjesë e partisë Bashkë Fitojmë.

Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit, Ornild Demollari dhe ai i grupit të këshilltarëve të majtë janë shprehur kundër vendimmarrjes në këtë mbledhje, për shkak të paqartësive në draftin e reformës. Mbyllja e mbledhjes ka shkaktuar reagime të ashpra nga këshilltarët e opozitës dhe qytetarët, ku një i moshuar me shkop tentoi të godasë kryetarin

“Ulu atje! Kush e mbyll mbledhjen? Ulu shpejt!”

“Luani me popullin ju? Ç’bëhet kështu?”

“Si s’ju vjen turp more?”, kundërshtuan qytetarët.