Kushtet e parlamentit të qytetit të Durrësit lënë për të dëshiruar…

"DurrësLajm" sjell një kolazh me foto, të cilat dëshmojnë gjendjen mjerane të karrikeve në sallën e Këshilli Bashkiak.

Një pjesë e tyre janë të dëmtuara dhe të zëvendësuara me karrike dosido, të marra “borxh” nga zyrat e bashkisë.

Por kjo nuk është mangësia e vetme. Një tjetër problematikë është se salla nuk ka numrin e mjaftueshëm të karrikeve krahasuar me numrin aktual të këshilltarëve.

Me miratimin e ndarjes administrative më 31 korrik 2014, parlamenti i qytetit i dalë nga zgjedhjet lokale të vitit 2015 , numëron 51 këshilltarë nga 45 që ishin më parë.

Por edhe pse kanë kaluar 4 vite, nuk janë marrë masat që të zgjedhurit vendorë të kenë secili vendin përkatës.

Një ditë më parë u zhvillua mbledhja e Këshillit Bashkiak Durrës, mbledhje e cila kaloi me tension dhe përplasje mes vetë socialistëve.

Këshilltarët ngritën kartonin jeshil për pikat e përcaktuara si rend dite, por ajo që bën pështypje është se nuk ishte përfshirë zëvendësimi i tre këshilltarëve të larguar në mbledhjen e 27 shtatorit.

Spartak Kovaçi, Gerald Dautaj dhe Romina Uka, duhej të zëvendësoheshin nga tre emra të rinj pasi në gjendjen aktuale këshilli ka në përbërjen e tij 48 anëtarë nga 51 që duhet të jetë në total.