Pjesa më e madhe e subjekteve private që ushtrojnë veprimtarinë e tyre përgjatë bregdetit të Durrësit shprehen të pakënaqur përsa i përket ecurisë së sezonit veror që po lëmë pas. Sipas tyre, kjo nuk ishte ajo çfarë ata prisnin, pasi përgjatë dy muajve të verës bizneset sezonale nuk punuan në nivelin e duhur.

Një numër i lartë prej tyre operojnë përgjatë sezonit veror në hapësira të ndryshme, duke ofruar shërbime të shumta, që nga veshmbathjet e deri tek ushqimet e shpejta, apo edhe shumë restorante apo bare të hapura enkas përgjatë muajve të verës.

Të irrituar, pjesa më e madhe e këtyre bizneseve theksojnë se ky sezon veror mund të cilësohet pa mëdyshjen më të vogël dështim total, pasi muaji korrik, edhe për shkak të paqëndrueshmërisë së motit, nuk solli fluksin e pritshëm të pushuesve.

Mungesa e plazheve publike, ndotja e detit nga ujërat e zeza në disa nyje përgjatë plazhit të Durrësit, zhurmat e natës, trafiku shumë i rënduar, konkurenca e pandershme, mungesa e parqeve për fëmijë dhe e hapësirave të gjelbëruara janë disa nga arsyet që po e degradojnë plazhin më të madh në Shqipëri.

Pushuesit shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia kanë nisur të kërkojnë destinacione të tjera më të qeta e më të garantura. Sipas deklarimeve të pronarëve të mjediseve që jepen me qira për pushuesit, dhomat e hoteleve në zonën e plazhit kushtojnë tani 10 deri në 20 euro nata, nga 25 deri në 40 që ishin vitin e kaluar.

Të paktën nga sa bëjnë të ditur një pjesë e bizneseve, sezoni turistik i këtij viti në Durrës nuk mund të konsiderohet ndonjë sukses i madh.