Ministri i mjedisit dhe turizmit Bendi Klosi gjatë një takimi me hotelieret e Vlorës ka bërë me dije se 15 nëntori do të shënojë fundin e sezonit turistik në Shqipëri.

Për të kompensuar kohën e humbur, ministri Klosi bëri me dije se sezoni turistik këtë vit do të shtyhet deri në nëntor.

“Për të zëvendësuar kohën e humbur, ditët e marsit, prillit, majit me kërkesë dhe të operatorëve turistikë do të shtyjmë sezonin deri më 15 nëntor në mënyrë që dhe ju të keni mundësi të paguani faturat dhe taksat”.

Që prej 1 qershorit do të nisë në e-Albania aplikimi për territorin që do të përdoret nga sektori privat për vendosjen e shezllonëve, teksa 80% e plazheve do të jenë private dhe 20% publike.

Klosi tha se për të siguruar pastërti dhe shërbim cilësor kjo mundësi do ju jepet edhe restoranteve të mëdha.

“Morëm një vendim te Këshillit te Ministrave para tre ditësh qe do bëjmë një ndryshim ne mënyrën e menaxhimit të  plazheve në vendin tonë. Na duhet që hotelet në gjithë vijën bregdetare dhe ku s’ka hotele, ta bëjnë restorantet që kanë një numër të konsiderueshëm tavolinash. Pra restorante te vërteta, jo nga ato kioskat që ndërtohen, pra restorante mbi 20 tavolina”, tha Klosi.

Ministri i turizmit sqaroi se zona e plazheve në qytetin bregdetar, këtë vit do të jetë e ndarë me kode unike, dhe të gjithë hotelet dhe restorantet do të kenë mundësinë që të aplikojnë nga 1 qershori në portalin e-albania për të marrë licencën, me të njëjtin çmim si në sezonet e kaluara.

“Në e-albania aplikimet nisin nga 1 qershori deri në 15 qershor, në mënyrë që më 1 korrik gjithçka të jetë gati. Aplikimi në e albania është shumë i thjeshtë, aplikohet dhe nga telefoni. Vendos numrin e NIPTIT, do të dëshmojë që posedon një hotel, vetë-deklarimin e kushteve të higjienës. Pra numri i banjove, dusheve. Këto janë 3 dokumente. Pastaj do të zgjedhë numrin e parcelës sipas kodit në hartën digjitale, për të cilën dëshiron të aplikojë si dhe një foto. Çmimet nuk kane ndryshuar janë ato qe këshilli bashkiak ka vendosur për hapësirën e Plazhit qe do te merret kurse kodet unike janë te menaxhuara nga një sistem i cili do te ofrohet online për strukturat hoteliere nga data 1 qershor”, u shpreh Klosi.

Këtë vit nuk do të ketë kontrata 5-vjeçare, dhe të gjithë ata subjekte që nuk respektojnë protokollin shëndetësor, do të gjobiten dhe do t’u pezullohet licenca.