Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët, paraditen e sotme është shembur godina e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, ish-drejtoria e Shëndetit Publik në Durrës.

Godina 3 katëshe në qendër të qytetit bregdetar, e cila u shemb me mjete të rënda, ishte dëmtuar në mënyrë të pariparueshme nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar.

Prej në orët e para të mëngjesit, shërbimet e Policisë Bashkiake kanë qenë prezentë duke vendosur perimetri e sigurisë si dhe duke normalizuar trafikun ndërkohë që punonjësit e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Vendor shembën objektin.

“Prishja e kësaj godine i lë vendin ndërtimit të një Ambulance të re me standarte bashkëkohore.”, shkruan në Facebook Policia Bashkiake Durrës.

Prej në nëntor të 2019-ës kur u regjistrua lëkundja e frikshme sizmike, stafi mjekësor i këtij institucioni u largua nga godina që paraqiste rrezikshmëri pasi pësoi dëmtime të shumta strukturore dhe Instituti i Ndërtimit, në akt-ekspertizën e thelluar vendosi për shembjen e saj.