Të tjera shkolla të Durrësit do të shemben. Periudha nuk është përcaktuar ende, por krahas dy gjimnazeve tradicionale të Durrësit, “Naim Frashëri” dhe “Gjergj Kastrioti”, radha për t’u shembur do t’i takojë edhe gjimnazit “Olsi Lasko”, shkollës 9-vjeçare “Eftali Koçi”, por edhe të mesmes sportive “Benardina Qerraxhia” për të cilën po pritet akt-ekspertiza e Institutit të Ndërtimit. Ky institucion ka vendosur deri tani se 18 objekte arsimore duhet të shemben dhe të rindërtohen, pasi kanë pësuar dëmtime nga tërmeti, ndërsa pritet vendimi për shkollën e mesme sportive, të cilës i është shembur konvikti më 14 maj.

DurrësLajm mëson se në total, në bashkinë e Durrësit do të rindërtohen nga e para 19 institucione arsimore (shkolla, kopshte dhe konvikte), ndërsa 8 të tjera do të rikonstruktohen.

Pjesa më e madhe e shkollave në qytet dhe njësi administrative u shemb përgjatë muajit maj, pas vendimit të marrë nga Këshilli Bashkiak në mbledhjet jashtë radhe të tij.

Në përfundim të procesit të rindërtimit apo rikonstruksionit, Durrësi pritet të përfitojnë 27 institucione arsimore , ose e shprehur në shifra rreth 12.200 mijë nxënës dhe 917 fëmijë të sistemit parashkollor.  Deri tani përflitet se 4 shkollat e mesme dhe 9-vjeçarja “Eftali Koçi” do të shemben pasi të rindërtohen shkollat e shembura tashmë. Procesi i rindërtimit nuk menaxhohet nga bashkia e Durrësit, por nga Ministria e Rindërtimit dhe askush nuk mund ta thotë me siguri të plotë se kur do të vendoset për rrafshimin e 5 shkollave të tjera.

Aktualisht, punimet kanë nisur në shkollat “Hasan Koçi” në Shkozet dhe “Njazi Mastori” në Sukth, ndërsa në shkollën “Neim Babameto” në Spitallë, e shembur që në muajin dhjetor 2019 ende punimet janë inekzistente.  

Shtatori është vetëm 2 muaj larg…

M.B.