“DurrësLajm” sjell pamjet e skafit të çarë pasi është transportuar në portin e Durrësit, i cili pësoi këtë defekt në det të hapur, e ku rrezikuan mbytjen 19 persona që ndodheshin në bord. 

18 emigrantë irakenë, iranianë e nga Kurdistani, janë shpëtuar nga mbytja në një operacion të zhvilluar nga Guardia di Financa dhe Roja Bregdetare shqiptare në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Në orën 23 e 40, skafi i cili drejtohej nga një qytetar vlonjat, Roland Cenko, 18 milje larg nga Kepi i Selitës, ka dhënë alarmin se skafi me të cilin udhëtonin kishte pësuar defekt, fuste ujë dhe 19 personat që gjendeshin në bordin e tij rrezikonin të mbyteshin.

Skafi është ndihmuar nga një anije peshkimi e cila ka qenë në zonë deri në momentin që në vendngjarje kanë mërritur anija e Guardia di Financës dhe e Rojes Bregdetare; të nisura nga porti i Durrësit dy anije të Guardia di Financës dhe të Rojes Bregdetare kanë marrë pjesë në operacionin e Kërkim Shpëtimit që u mbyll me sukses në orën 04 e 30 të mëngjesit me shpëtimin e të gjithë emigrantëve që rrezikoheshin të mbyteshin në det.

Në skaf gjendeshin një fëmijë, 5 gra e 12 burra, të cilët janë transportuar në gjendje të mirë shëndetësore në portin e Durrësit.