Më në fund një lajm i mirë për nxënësit dhe mësuesit e shkollës “Marie Kaçulini”. Pas një pritjeje gati 2-vjeçare për përfundimin e godinës së shkollës së re, e hëna e 4 shkurtit do t’i gjejë nxënësit të ulur në ambientet e rikonstruktuara tërësisht. 

Njoftimi zyrtar vjen nga bashkia e Durrësit, e cila reagoi pas një shkrimi të publikuar një ditë më parë në "DurrësLajm", për vonesat tej çdo limiti të pranueshëm kohor për dorëzimin e shkollës së shembur që në mars të vitit 2017, e të planifikuar për t’u ndërtuar brenda 8 muajve. 

Që nga marsi i 2017, nxënësit e “Marie Kaçulinit” detyroheshin të zhvillonin procesin mësimor pasditeve, në dy shkolla të tjera të qytetit, tek “Leonik Tomeo” dhe “Bernardina Qeraxhia”. 

Shkolla “Marie Kaçulini” u shemb tërësisht për të ndërtuar një shkollë të re. Bashkia e Durrësit akordoi 860 milion lekë për ndërtimin e saj. Nga 1050 metra katror që ishte godina e mëparshme e shkollës, është planifikuar që sipërfaqja e çdo kati të jetë 1550 metra katror.

Në godinë është parashikuar instalimi i sistemit qendror me ngrohje, ndëtimi i një salle multifunksionale, i palestrës, laboratorëve të ndryshëm etj.

M.B.