Një nga vrasjet më të bujshme të ndodhura në Tiranë, është ajo e biznesmenit të njohur Vajdin Lamaj.

Lamaj u ekzekutua nëpërmjet një sasie të lartë eksplozivi, në orët e para të së hënës së 28 shkurtit 2005. Sot, SPAK përfundoi hetimin dhe ka siguruar masën e sigurimit “arrest me burg” për Lulzim Berishën, Emiljano Shullazin, Indrit Taullain, Viktor Ymerin dhe Luftar Reçin.

Dy vrasjet e ndodhura në muajin shkurt të vitit 2005, me vetëm 24 orë diferencë me njera-tjetren, ajo e Klodian Saliut në Durrës dhe Lames në Tiranë, SPAK i ka përfshirë në një dosje të vetme. 

Si ndodhi ekzekutimi i biznesmenit Lame?

Shpërthimi i eksplozivit ka ndodhur rreth orës 1:30 pas mesnatës, në pallatin ku banonte viktima.

Sipas raportimeve të dikurshme të policisë, eksplozivi ka shpërthyer pikërisht në momentin kur Vajdin Lamaj së bashku me një person tjetërr, Dritan Arsi, ishin duke u ngjitur me ashensor. Nga shpërthimi i sasisë së eksplozivit të vendosur, në skenën e krimit ka mbetur i vdekur dhe shoqëruesi i Vajdin Lamajt, Dritan Arsi.

Fill pas atentatit, policia deklaroi se Lamaj ishte ndjekur ditën e atentatit nga tre persona, emrat e të cilëve nuk u bënë të ditur. Sapo Lamaj dhe Arsi janë ngjitur në ashensor, ndërmjet katit të pestë dhe katit të gjashtë ka ndodhur shpërthimi i lëndës eksplozive, duke i lënë të dy personat të vdekur në vend. Sasia e eksplozivit ka qenë e madhe dhe bëhej fjalë për një eksploziv të cilësisë së lartë. Dy viktimat do të ngjiteshin në katin e tetë, ku kishte shtëpinë Lamaj. Ashensori në momentin e shpërthimit ka qenë në ngjitje dhe mendohet që shpërthimi të jetë realizuar me telekomandim nga distanca. Gjatë shpërthimit është shkatërruar totalisht ashensori, por nuk është dëmtuar asnjë nga katet e pallatit.

Vajdin Lamaj para se të mbetej viktimë i shpërthimit të eksplozivit i ka shpëtuar disa herë të tjera atentateve.

Po në vitin 2005, Lamaj i shpëtoi një atentati me armë në qendër të Tiranës, ku mbeten të plagosur lehtë dy persona. Ne 15 tetor të vitit 2004, Lamaj u shpëtoi plumbave ndërsa dilte nga një emision televiziv i ftuar në një nga televizionet e kryeqytetit.

Kush ishte Vajdin Lamaj?

Vajdin Lamaj ka patur një karrierë të pasur në strukturat e policisë, duke patur edhe pozita drejtuese.

Për disa vite ai ka drejtuar Federatën Shqiptare të Boksit, ndërsa në rini të tij ka qenë edhe sportist në sportin e mundjes. Vajdin Lamaj ka mbajtur gjithashtu edhe postin e zv/Presidentit të “Top Albania Radio”.

Kujtojmë që ditën e sotme ekzekutimi i Vajdin Lamajt është ‘rizgjuar’ nga SPAK. Ky organ ka deklaruar se për vrasjen e Vajdin Lamajt ka pasur një bashkëpunim mes dy grupeve kriminale të drejtuar nga Emiljano Shullazi dhe Lulzim Berisha.  Bashkë me ta të implikuar janë dhe shtetasit P. Dervishaj, I.Taulla, L.Reci dhe V.Ymeri (Imeraj). Kujtojmë që ndaj Emiljano Shullazit dhe V.Ymerit (Imerajt)  gjykata më herët ka caktuar masën e sigurimit “arrest me burg”për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a të Kodit Penal në dëm të shtetasve V. Lamaj dhe A. Arsi”.