Policia e Durrësit ka dhënë detaje të mëtejshme për sasinë e lëndës narkotike të kapur mbrëmjen e së shtunës në një kamion në portin më të madh në vend.

Policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit, shtetasin M.P. 35 vjeç, banues në Tiranë dhe ka shpallur në kërkim shtetasin R.H. 52 vjeç, banues në Vlorë. 

DurrësLajm njoftoi mëmjen e së shtunës se policia kishte kapur në port 55.5 kg kanabis sattiva e fshehur në vende të ndryshme në kamion.

Njoftimi i policisë: 

Policia Kufitare parandalon dhe  godet një rast të  tentativës për trafikim të lëndëve narkotike në portin e Durrësit. Uniformat blu kanë sekuestruar 55.5 kilogramë kanabis, ndërsa kanë vënë në pranga një shtetas dhe shpllur në kërkim një tjetër.

Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë në pikën e kontrollit të  kamionëve, në mjetin tip Scania, me drejtues shtetasin M.P., shërbimet e Policisë Kufitare duke përdorur edhe qenin antidrogë  konstatuan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 14 pako  me lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa me peshë 55.5 kilogramë  e fshehur në vende të ndryshme.

Policia bëri arrestimin në flagrancë të drejtuesit të mjetit,  M.P., 35 vjeç, banues në Tiranë.

Po në lidhje me këtë rast, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë shpallur në kërkim policor shtetasin   R.H., 52 vjeç, banues në Vlorë.

Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të këtij rasti, evidentimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet hetimore i kaluan  Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale "Trafikimi i narkotikëve" e kryer në bashkëpunim.