Ditën e djeshme, portali Fajtoje.al, publikoi një investigim lidhur me shpenzimet marramendëse  të Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, për qëndrimin në hotele luksoze në Europë.

Investigimi tregonte se si ministrja kishte përdorur paratë e taksapaguesëve shqiptarë, për të fjetur në hotele luksoze me vlerë deri në 700 euro nata, një shifër e çmendur edhe për liderët e vendeve të pasura të botës.

Por skandali nuk përfundon këtu. Mëkati i ministres duket se nuk është vetëm qëndrimi në hotelet luksoze, por edhe çmimet e fryra të faturave. Me një kërkim të thjesht në faqen popullore Booking.com, ku miliona qytetarë prenotojnë hotelet, duket se çmimet e hoteleve ku ka qëndruar Gjonaj janë shumë të fryra.

Përshembull, në një prej udhëtimeve të saj të punës në Bruksel, nga data 19 deri në 21 qershor të vitit 2018, Gjonaj ka paguar 1320 euro për dy netë ose 660 euro nata në hotelin e quajtur “The Hotel Brussels”. TPZ.al kërkoi  në booking.com, një dhomë  në këtë hotel, 8 ditë përpara ditës së udhëtimit dhe çmimi fillon nga 141 euro, shifër kjo mjaft e ulët krahasuar me shifrën e paguar nga ministrja, plot 660 euro për një natë.

Publikimi i këtyre faturave ka sjellë reagime të shumta të qytetarëve dhe aktivistëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e ministres dhe hetimin e këtyre shpenzimeve marramendëse, para që dalin nga xhepat e taksapaguesëve.

Shpenzimet e luksit me paratë e shqiptarëve, kanë irrituar tej mase qytetarët në rrjetet sociale.

Organizata “Nisma Thurje”, duke përllogaritur çmimet e të njëjtave hotele që ka prenotuar ministrja, por me agjensinë booking.com, kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministres dhe hetimin e këtyre shpenzimeve.

“Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj duhet të japë dorëheqjen lidhur me skandalin e shpenzimeve të saj të hotelerisë.
Mjafton një kërkim i thjeshtë në Booking.com dhe kupton se nuk kemi të bëjmë thjesht me abuzim fondesh por me vjedhje të tyre.
Një natë në “The Hotel Brussels” realisht kushton rreth 130 euro, ndërkohë që Ministria me fondet publike ka paguar 660 euro nata te agjensia e udhëtimit. 
Një natë në hotelin “Steigenberger Wiltcher’s” po në Bruksel kushton normalisht rreth 180 euro, ndërkohë që Ministria ka paguar 543 euro me lekët tona."