Studentët nuk tërhiqen nga protesta e tyre deri në plotësimin e 8 pikave të vendosura prej ditësh si kusht për qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama. Prej rreth dy javësh, studentët vazhdojnë me këmbëngulje protestat e tyre para dritares së kryeministrit Edi Rama. Nesër studentët kanë paralajmëruar sërish bojkotim të mësimit dhe nisjen e protestës në orën 10:00 tek korpusi universitar.

Deri tani nuk ka pasur një përgjigje pozitive për dialog ndaj kryeministrit, megjithëse ai ka zhvilluar dy takime me studentë e pedagogë në dy fakultete.

“Kauza në dorën e studentëve! Arsim cilësor, bashkëkohor, fuqizues, për të gjithë dhe politika arsimore transparente dhe llogaridhënëse. Nesër, datë 19 dhjetor, studentët bojkotojnë mësimin dhe takohemi të gjithë tek korpusi universitar në orën 10:00”, thuhet në njoftimin e studentëve.

Kryeministri ka rënë dakord për plotësimin e kërkesave të tyre, duke premtuar edhe më shumë por studentët nuk janë të bindur dhe nuk duan të negociojnë tek kërkesat e tyre elementare.

Sot shefi i ekzekutivit tha se studentët do të paguajnë në janar gjysmën e tarifës së përcaktuar duke plotësuar kështu edhe realisht një nga kërkesat.