Policia Bashkiake e Durrësit ka vijuar punën për lirimin e të tjera hapësirave publike në lagjet dhe kuartallet e qytetit. Pas punës së bërë në drejtim të rikthimit të hapësirave në shërbim të qytetarëve, denoncimet e durrsakëve janë shtuar, sepse duket se ata e shohin punën e efektivëve të kësaj drejtorie si të vetmen mundësi për të rifituar të ato që shiheshin deri para disa muajsh si hapësira të humbura njëherë e përgjithmonë.

Aksioni i sotëm i Policisë Bashkiake u përqendrua sot në lagjen nr.17, në hyrje të qytetit bregdetar, ku u hoqën zinxhirë metalikë dhe konstruksione betoni që ishin përdorur nga qytetarë të ndryshëm për të krijuar parkime private.

Burime nga Policia Bashkiake bëjnë të ditur se numri i denoncimeve nga ana e qytetarëve ka ardhur duke u shtuar, ashtu siç është shtuar edhe numri i telefonatave falenderuese, pasi qytetarët konstatojnë se ndërhyrja e policëve bashkiakë i jep zgjidhje problematikës që vijonte prej vitesh.

Ajo që deri rreth një vit më parë konsiderohej si mision i pamundur rezultoi të ishte një mision i thjeshtë dhe me impakt të madh tek qytetarët. Kjo tregon se kur ekziston vullneti i mirë dhe dëshira për t’i shërbyer komunitetit, edhe problematikat më të vështira marrin rrugëzgjidhje në të mirë të qytetarit.