Sot në orën 11:00 dalin para Gjykatës së Durrësit 9 personat e arrestuar për ngjarjen e tërmetit të 26 nëntorit. Për të gjithë personat prokuroria e Durrësit ka kërkuar në gjykatë, caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”. Gjyqtari që do shqyrtojë dosjen Paulin Cera, është zgjedhur nga shorti elektronik, ndërsa prokuroria në këtë çështje do të përfaqësohet nga prokurorët Pali Deçolli, Edmond Kaloshi dhe Madrid Kullolli.

Personat që do dalin sot para gjykatës së Durrës janë Arben Isaku, me detyrë ish-drejtor i ALUIZNI-it Durrës, Klajdi Lame, në cilësinë e inspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës, në objektin pallat 6- katësh, Albrend Qetka, në cilësinë e specialistit të verifikimit në terren pranë ALUIZNI-it, Durrës, në objektin pallat 6- katësh, Kujtim Hasa, në cilësinë e shefit të shërbimeve të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, Ahmet Doda në cilësinë e drejtorit të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, Rruzhdi Xheka në cilësinë e ndërtuesit informal në objektin “Hotel Mira Mare”, Avdulla Osmani në cilësinë e ndërtuesit informal të legalizuar më vonë në menyrë të paligjshme të objektit “Hotel Tropikal”, Defrim Celami në cilësinë e specialistit që ka përpiluar aktin e ekspertimit teknik në objektin pallat 6- katësh, Nevjana Isufi e cila me studion e saj private hartonte projekte fiktive.

Akuzat me të cilat do përballen këta persona para gjykatës së Durrësit janë nga “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Vrasja me dashje” e kryer në mënyrë indirekte dhe “Vrasja në rrethana cilësuese” të një ose me shumë personave të kryer në mënyrë indirekte.

Personat e shpallur në kërkim:
1. Arben Qato pronar i Vila Palma
2. Dëshira Qato-shefe e urbanistikës në Kavajë (Gruaja e Arben Qatos)
3. Aldo Dakovelli, shef sektori në Kadastrën e Durrësit
4. Artemis Malko punonjës terreni në Kadastrën e Durrësit
5. Artur Cela, ish-drejtori i INUV
6. Flamur Gjuzi, ish-drejtori i ALUIZNIT Durrës, dhe ish-kandidat i LSI për deputet
7. Artur Terziu, pronari i “Bar Barons”
8-9. Dy ndërtuesit e banesës së familjes Lala në Kënetë