Kompania "Vega" është shpallur fituese e tenderit për thellimin e basenit ujor të portit të Durrësit. Kontrata sapo është firmosur mes kompanisë fituese dhe Autoritetit Portual Durrës.

Kjo është bërë e ditur nga drejtori i APD-së, Agron Tare në një dalje për mediat. Tenderimi për vënien në zbatim të projektit me vlerë 8.6 milionë euro ka përfunduar, duke i hapur rrugë nisjes së investimit.

I gjithë investimi, sipas Tares do të realizohet brenda këtij viti në një hark kohor prej 6 muajsh duke e kthyer portin e Durrësit të konkurueshëm me vendet e rajonit, Barin e Malit të Zi, dhe Selanikut në Greqi, përsa I përket kapaciteteve përpunuese të anijeve që hyjnë e dalin nga Durrësi me mallra.

Thellimi synon që në kalatat e portit të ankorohen anije me gjatësi 174 metra si dhe anije që mbajnë 1000 kontejnerë nga  600 që mbajnë aktualisht. 

Ky është investimi më i madh që Autoriteti Portual Durrës ndërmerr me buxhetin e tij. Në përfundim të zbatimit të projektit thellësia e basenit ujor do të arrijë në 10.5 metra nga thellësia aktuale prej 7.5 metra. Ky investim pritet të përmirësoj ndjeshëm kapacitet përpunuese në portin detar, duke synuar kthimin e tij në një port konkurues me ato të rajonit.

Tre drejtues janë ndërruar brenda një kohe të shkurtër në portin e Durrësit. Artjan Qirici, më pas Afrim Bakaj, e më së fundi Agron Tare, i katapultuar nga Tirana, si prioritet të punës së tyre nxjerrin thellimin e portit të Durrësit.

Ky projekt do të mundësonte futjen në portin e Durrësit të anijeve të një madhësie prej 20,000 DËT apo 1000 TEU si dhe ankorimin e tyre në anë të kalatave të portit.

Kërkesa për thellimin e portit të Durrësit ka kohë që bëhet edhe nga grupet e biznesit e lidhur me eksportuesit të cilët përdorin këtë port për të dërguar jashtë Shqipërisë produktet e tyre siç janë bizneset e çimentos apo metaleve. Sipas të njëjtave biznese kjo i kufizon ata për të hyrë në tregje të mëdha dhe fitimprurës siç janë Afrika Perëndimore apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shqipëria ka avantazh në raport me fqinjët sa i përket pozicionimit strategjik që ka porti i Durrësit, si porti më i madh në vend, i cili realizon  78%  e tregtisë detare në nivel kombëtar.

K.H.