Policia e Vlorës ka zhvilluar një operacion masiv antidrogë duke sekuestruar 210 kg kanabis që ishte hedhur nga trafikantët në lumin Shushicë. Uniformat blu kishin marrë informacion për këtë ngarkesë droge, e cila ishte vendosur në 21 thasë.

Kështu, në shtratin e Lumit – Shushicë, në disa pellgje me ujë të ndenjur, shërbimet e Policisë në bashkëpunim me Repartin Delta dhe Policinë Kufitare kanë konstatuar të hedhura në ujë 21 thasë me kanabis.

Me urdhër të Prokurorit, 30 kg kanabis u mor në cilësinë e provës materiale për t’u ekzaminuar, pasi pjesa tjetër nuk i plotësonte kushtet dhe me porosi të Prokurorit, grupi hetimor kreu veprimet e mëtejshme në vendngjarje.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në territorin e zonës janë gjetur disa vatra zjarri duke u djegur kanabis. Policia po punon për zbulimin dhe kapjen e autorëve të cilëve u përket sasia e lëndës narkotike.