Tre punonjës të paraburgimit në Durrës si dhe një i burgosur janë paraqitur në spitalin rajonal me shenja helmimi.

Mësohet se punonjësit e paraburgimit me detyrë gardianë si dhe i burgosuri janë ndjerë keq pak minuta pasi kanë konsumuar ushqim të përbashkët. Ata janë dërguar menjëherë në spitalin e Durrësit, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Sipas bluzave të bardha, ata po mbahen nën mbikqyrje deri në përmirësimin e gjendjes së tyre shëndetësore. Ndërkohë policia ka nisur hetimin për rastin në fjalë. Ekspertët kanë marrë mostrat e ushqimit me qëllim zbulimin e origjinës se helmimit.