Më datë 4 gusht 2020, ambasadorja franceze në Shqipëri Christina Vasak dhe atasheu i bashkëpunimit për gjuhën frënge Paul Souligoux vizitoi Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD).

Ambasadorja Vasak dha lajmin e mirë që Universiteti Cote D’azur në Francë ka nënshkruar marrëveshjen që zyrtarizon lëshimin e diplomave të dyfishta Master në Administrim Publik me Universitetin e Durrësit. Kjo është marrëveshja e parë në këtë lëmë mes universiteteve shqiptare dhe atyre franceze dhe tashmë tradita e madhe franceze në çështjet e administrimit publik do të përcillet edhe në UAMD.

“Urime për këtë marrëveshje, që pa punën tuaj të shkëlqyer si ekip nuk do të ishte e mundur. Gëzohem për rizgjedhjen tuaj si Rektor dhe uroj që aktivitet mes dy institucioneve tona të shumëfishohen”, u shpreh ambasadorja Vasak.

Rektorja Kseanela Sotirofski, falenderoi ambasadoren për lajmin e mirë dhe bëri një prezantim të projekteve ku UAMD është përfshirë si anëtar i Agjencisë Universitare të Frankofonisë (AUF).

“Prej dhjetorit të vitit 2018 jemi anëtarë të Agjencisë Universitare të Frankofonisë ku bëjnë pjesë universitete dhe institute kërkimore nga 111 shtete të ndryshme. Së fundmi kemi përfituar bursa studimi në të tre ciklet në universitetet frakofone”, nënvizoi ndër të tjera ajo.

Rektorja Sotirofski e sapo votuar për një mandat të dytë nënvizoi se gjatë 4-vjeçarit të ardhshëm prioriteti i punës së saj është fokusi në pikat e dobëta të mandatit të parë dhe fuqizimi i studentëve.

Në kuadër të fondit të solidaritetit të ambasadës, selia diplomatike i dhuroi UAMD-së 500 maska mbrojtëse për studentët.