Ambasada e SHBA-ve në Tiranë reagoi sot në lidhje me ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë në Shqipëri. Përmes një reagimi në rrjetet sociale bëhet me dije se një gjyqësor i pavarur, i përgjegjshëm dhe profesional do të jetë në dobinë e qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë shprehur mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme për reformën në sistemin e drejtësisë.

Ambasada thotë se një sistem drejtësie tërësisht funksional është edhe në interesin e pastër të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë. Ndër të tjera thuhet se ngritje e një gjyqësori të pavarur do të ndikojë në hapjen e negociatave për Shqipërinë.

“Ne i bëjmë thirrje gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë që të sigurojnë një proces të lirë dhe transparent zgjedhor për magjistratët në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Ngritja e vazhdueshme e institucioneve së reformës në drejtësi duhet ruajtur dhe konfirmuar këtë javë.

Kjo është mundësia që gjykatësit dhe prokurorët t’i japin kontribut dhe formë sistemit shqiptar të drejtësisë, për të ardhmen dhe shpresat e të gjithë shqiptarëve.

Ne presim që ata të tregojnë se kanë zotërim dhe përgjegjësi në krijimin e këtyre institucioneve jetike.

Ruajtja e këtij progresi, sidomos nëpërmjet krijimit të strukturave gjyqësore të pavarura të parashikuara në reformën Kushtetuese, është një hap thelbësor drejt rrugës së çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian në qershor 2019”,- bën me dije ambasada e SHBA-ve.