Vazhdojnë punimet për rikonstruksionin e rrugës “Egnatia” në Durrës. Punimet kanë nisur fillimisht në njërin krah të rrugës, teksa sot është hedhur dhe shtresa e parë e asfaltit përgjatë trotuarit.

Pas rehabilitimit, trotuaret do të jenë më të gjëra, konkretisht nga rrethrrotullimi i stacionit të trenit deri te “Flagship” dhe nga shkolla “Jusuf Puka” deri te kryqëzimi i rrugës “Grigor Durrsaku”.

Segmenti rrugor midis këtyre dy pjesëve i është nënshtruar rikonstruksionit më parë. Punimet kanë shkaktuar edhe trafik të rënduar në oraret e pikut pas ngushtimit të rrugës, duke qenë se në periudhën e verës shtohen lëvizjet në qytetin bregdetar.

Rikonstruksioni i rrugës “Egnatia”, loti II, është vazhdim i dy projekteve të zbatuara në aksin në fjalë dhe kuartallet. Duke qenë se rruga “Egnatia” është përmbytur gjithmonë, kur në qytetin bregdetar ka reshje shiu, është parashikuar vendosja e dy kolektorëve të ujërave të bardha në të dy anët e trotuareve.

Ndërsa kanalizimet e ujërave të zeza do të lidhen me dy kolektorët që ndodhen në anën e portit për të vijuar më pas me kolektorin e rrugës paralel me portin. Në rikonstruksion përfshihet edhe vendosja e disa stolave, 2 vaskave ujore, ndriçimit dhe gjelbërimit.

Përgjatë këtij aksi është parashikuar edhe ndërtimi i disa xhepave për parkimin e automjeteve, pasi aksi rrugor, pas rikostruksionit nuk do të ketë gjerësinë aktuale. Gjatësia e përgjithshme e projektit në aksin e tij është 200 m linear.

Rehabilitimi i këtij aksi rrugor financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili po ashtu financon dhe rehabilitimin e një aksi tjetër rrugor në qytetin e Durrësit, atë të rrugës së “Dëshmorëve”, nga Pallati i Sportit “Ramazan Njala” deri tek Mauzoleumi i Dëshmorëve. Fondi kap vlerën rreth 190 milionë lekë për të dyja rrugët.

S.L.