Ndarja e papritur nga jeta e aktores së njohur shqiptare Valentina Caci, duket se ka prekur opinionin e gjerë kombëtar. Mes të parëve që kanë reaguar për këtë lajm të hidhur për botën e artit shqiptar, ka qenë presidenti Ilir Meta nëpërmjet një statusi në profilin e tij në Facebook.

Reagimi i Presidentit:

Me trishtim mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të aktores sonë të mirënjohur, “Artistes së Merituar” Valentina Caci.

Me rolet dhe personazhet karakteristike, të luajtura me aq talent dhe mjeshtëri të rrallë, në skenë, dhe veçanërisht në film, Valentina Caci fitoi simpatinë dhe u duartrokit me meritë nga shumë breza, duke na lënë pas një trashëgimi të vyer në teatër e kinematografi.

Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e kësaj artisteje të madhe, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta të afërmve dhe bashkëpunëtorëve të saj, si edhe të gjithë artdashësve shqiptarë.

E paharruar do të mbetesh e madhja Valentinë!