Kryetarja e sapo emëruar e komanduar në krye të bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako ka filluar ditën e parë të punës në terren duke ndjekur procesin  e shembjes së kompleksit të shkollave të Sukthit “Njazi Mastoi”.

Në daljen e saj të parë për mediat, Sako deklaroi se në Durrës do të rindërtohen 15 godina arsimore, pasi janë të amortizuara dhe të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-s, ndërsa do të ketë rikonstruksion për 7 godina të tjera arsimore.

Sako tha se për t’u rindërtuar janë edhe disa qendra shëndetësore. Krahas Sukthit, theksoi Sako, po shemben edhe 2 qendra shëndetësore në  njësinë vendore të Ishmit. Ajo bëri me dije se banesat e dëmtuara nga tërmeti, ndërtimi i tyre do të jenë prioritet i bashkisë.

Sa i përket familjeve në nevojë apo pensionistëve të vetmuar, për shkak të situatës së vështirë të krijuar nga pandemia e Covid-19, kryebashkiakja tha janë ndihmuar rreth 3000 familje në total. 

Sakaq, Agron Hyselliu, drejtor i Institutit të Ndërtimit, deklaroi se janë kryer akt ekspertiza të thelluara për 68 ndërtesa si dhe janë në proces 600 banesa një dhe 2 katëshe për të cilat do të vendosë bashkia nëse do të shemben ose do të riparohen. Krahas akt ekpertzës së objekteve të dëmtuara nga tërmeti, do të jenë në objektiv të këtij instituti edhe banesat mbi 50-vjeçare.

Këshilli Bashkiak ka miratuar në mbledhjen emergjente të ditës së djeshme kryetaren e re të komanduar të bashkisë Durrës, Emirjana Sako, e cila ka mbajtur detyrën e drejtoreshës së Shërbimeve Publike për disa vite. Dje në mëngjes Zhuljen Varfaj dha dorëheqjen e parevokueshme për arsye shëndetësore. Varfaj ishte emëruar në këtë detyrë më 1 dhjetor 2019, pas dorëheqjes së Valbona Sakos.