Një grup vullnetarësh të shoqatës “Ishmi”, në bashkëpunim me misionarët e Kishës Ungjillore, ditët e fundit kanë instaluar në fshatrat Gjuricaj dhe Kapidanaj, në veri të Durrësit, tre kontejnerë që do të shërbejnë si banesa për tre familje në nevojë.

Kryetari i kësaj shoqate, Isuf Shehu tha se ata po punojnë së bashku me donatorët e huaj për të shpërndarë ndihma në veshmbathje dhe ushqime për familjet që mbetën të patreha nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar.

Afro 270 familje në 9 fshatrat e njësisë administrative Ishëm nën kujdesin e bashkisë Durrës janë vendosur në çadra, shumica e të cilave janë ngritur në oborret e banesave. Ndërkaq, vullnetarët po kujdesen për ta lehtësuar situatën e tyre, duke dërguar krevatë, ngrohës, dyshekë dhe batanije.

“Megjithëse ka drejtim kulturor, anëtarët shoqatës “Ishmi” po kontribuojnë në mbështetje të bashkëfshatarëve të tyre në nevojë” – tha Isuf Shehu.

G.K.