Alban Isteri është zgjedhur kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës pas votimit të zhvilluar ditën e sotme. Tre kandidatë kanë marrë pjesë në garën për kreun e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit, një nga më të rëndësishmet në vend.

Në garë u paraqit Alban Isteri, i cili njihet si veprimtar politik i PD-së, me një biznes relativisht të ri, zyrë konsulence; Eduart Xhepa biznesmen prej 24 vjetësh në industrinë e turizmit, tregtisë dhe karburanteve; si dhe Gledis Kallogjeri, e cila gjatë ditës së sotme paraqiti një sërë projektesh për rinovimin e veprimtarisë së dhomës.

35 anëtarë kanë marrë pjesë në përzgjedhjen e kreut të dhomës. Në fund të procesit të votimit, nga numërimi i votave rezultoi se Alban Isteri kishte grumbulluar 20 vota, Eduart Xhepa 6 vota dhe Gledis Kallogjeri 5 vota. Isteri do ta drejtojë Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Durrës për 4 vitet e ardhshme. Ndërkohë, DurrësLajm mëson se disa anëtarë të asamblesë si Ardian Muka, Seid Kërtusha, Krenar Lasku nuk morën pjesë në votim, pasi nuk ndodheshin në Shqipëri.

Anëtarët e Asamblesë përzgjodhën edhe strukturat e tjera drejtuese Këshillin, sekretarin etj. Votimi nuk u kontestua nga kandidatët pjesëmarrës. Tre ditë më parë ishin 350 biznesmenë të Durrësit që janë anëtarë në këtë dhomë biznesi, që zgjodhën anëtarët e asamblesë, strukturë që zgjodhi kryetarin.

K.H.