Për zhdukjen e avokatit shqiptar Besnik Muço, prokurorët e Macerata-s kanë nisur një letërporosi në Shqipëri në përpjekje për të hedhur dritë mbi atë që ndodhi me Besnikun, 54-vjeçarin e zhdukur që nga 2 nëntori, ditën që ai u nis nga porti i Durrësit për të takuar familjen e tij, e cila jeton në Macerata.

Prokuroria në Macerata ka hapur dosjen hetimore me akuzën e vrasjes, raportojnë mediet italiane.

Prokuroria e Macerata-s ka nisur letrën e porosisë dhe kërkoi nga kolegët e Durrësit që të bashkëpunojnë me hetimet për zbardhjen e misterit që rrethon zhdukjen e avokatit Besnik Muço.

Bileta e tragetit që avokati kishte për të shkuar në Itali, u gjet “e shënjuar”, shenjë që do të thotë se personeli i tragetit e ka kontrolluar.

Por, askush nuk mban mend ta ketë parë avokatin në tragetin “Adria Ferries”, aty ku policia ka gjetur disa sende personale të tij.