U zhvillua sot në Komandën e Forcës Detare Plepa, ceremonia e përcjelljes së kontingjentit të pestë në operacionin e NATO-s, “Sea Guardian”. Në këtë ceremoni morën pjesë Zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koci, Zv.Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral brigade Dedë Prenga, Prefekti i Durrësit, zoti Emiljano Jani, Komandantët e Forcave dhe Komandave ushtarake të Forcave të Armatosura, Drejtorë të Drejtorive në Shtabin e Përgjithshëm, Drejtori i Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare, kuadro dhe detarë të Shtabit e reparteve të Forcës Detare, si dhe familjarë të ekuipazhit të anijes “Oriku”, pjesëtarë të operacionit.

Ceremonia u hap nga Zv.Komandanti i Forcës Detare, Kapiten i Rangut të I-rë Subi Zenelaj, i cili fillimisht i uroi ekuipazhit të “Orikut”, pjesë e kontigjentit të 5-të, mision sa më të mbarë. Në vijim Kapiten Zenelaj theksoi se, “ndjehem krenar për faktin se, katër kontigjentet e para paraardhëse realizuan me sukses misionin e ngarkuar. Me profesionalizmin dhe përkushtimin e spikatur, ekuipazhet tona treguan se janë të barabartë krah aleatëve, në realizimin e misionit të vëzhgimit, monitorimit dhe raportimit të trafikut të emigrantëve në zonën e përgjegjsisë, sipas detyrës së vënë nga Komanda Detare e NATO-s”, theksoi Zv.Komandanti i Forcës Detare.

Më pas, Zv.ministri Koci vlerësoi kontributin e vendit tonë në këtë operacion specifik nëpërmjet pjesëmarrjes së Forcës Detare si dhe arritjen e standardeve të kërkuara në këtë fushë duke u shprehur se, “Pjesëmarrja në operacionin e Detin Egje është një përvojë e vyer që do t'i shërbejë më së miri rritjes së kapaciteteve operacionale, ndërveprimit me NATO-n dhe profesionalizmit të Forcës Detare”.    

Ceremonia vijoi me dorëzimin e Flamurit Kombëtar nga Zv.ministri i Mbrojtjes komandantit të  kontingjentit të 5-të, Kapiten i Rangut të III-të Ilir Cobo, i cili do të drejtojë kontingjentin për dy muajt në vazhdim dhe përfundoi me një foto të përbashkët me ekuipazhin e anijes.

Ky kontingjent zëvendëson kontigjentin që u dislokua në Detin Egje në muajin qershor të këtij viti, si pjesë e operacionit “Sea Guardian” të NATO-s, në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për të ndaluar trafikimin ilegal dhe emigricionin në këtë rajon.

Grupi Detar SNMG2, pjesë e të cilit është edhe anija jonë, përbëhet nga anije gjermane, holandeze, britanike, greke dhe turke.

Nga Shefqet Kërcelli