Zhvillohet takimi i parë në Durrës me gazetarë dhe përfaqësues vendorë mbi planifikimin familjar. Në këtë takim të parë me median dhe aktorë lokalë në Durrës u diskutua mbi shëndetin seksual dhe riprodhues dhe planifikimin familjar.

"Infinit Plus" mblodhi së bashku gazetarë të mediave lokale dhe qendrore, përfaqësues të Drejtorisë dhe Shëndetit Publik në Durrës, nënkryetarin e Bashkisë së Durrësit Florian Tahiri dhe Elsona Agollin, përfaqësuese e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA Albania).

Florian Tahiri, nënkryetar i Bashkisë së Durrësit i pranishëm në këtë takim theksoi rëndësinë që i kushtohet planifikimit familjar, sakaq vuri në dukje punën që po bëhet me programin (Akses në Planifikimin Familjar), që po realizohet me mbështetjen e Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), të cilin e udhëheq vetë ai në bashkinë Durrës.

Elsona Agolli, përfaqësuese e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA Albania), hartuese dhe ofruese e politikave shëndetësore si dhe donatorë që synojnë promovimin dhe rritjen e nivelit të bashkëpunimit për përmirësimin e shërbimeve të planifikimit familjar, shpjegoi shtrirjen e UNFPA në Shqipëri dhe strategjitë që ka përdorur për të ndërgjegjësuar dhe ndihmuar gra dhe vajza që nuk kanë akses në kujdesin shëndetësor, seksual dhe riprodhues, që do të thotë se nuk janë në gjendje të marrin shërbime të planifikimit familjar, e në këtë mënyrë detyrohen të lindin në kushte të pasigurta. 

Të pranishëm ishin edhe përfaqësuese të Drejtorisë së Shëndetit Publik në Durrës, të cilat gjatë diskutimeve u shprehën se sipas raporteve numri i aborteve ka ardhur duke rënë në vitin e fundit, dhe rastet më të shpeshta janë tek vajzat dhe gratë me arsim 8-vjeçar. Ndërkaq theksoi se gjithashtu është rritur kërkesa mbi produktet kontraceptive.

K.H.