Një zjarr i madh ka rënë gjatë natës në zonën e Kallmit, ndërsa punonjësit e zjarrfikëseve vazhdojnë ende betejën për shuarjen e flakëve.

Burime nga MZSH thanë për “DurrësLajm” se janë djegur rreth 100 ha pisha dhe shkurre.

Situata e rëndë vazhdon prej orës 01:30 të natës e deri mëngjesin e sotëm, duke vijuar puna për fikjen e zjarrit, i cili është i përhapur në disa vatra.

Janë angazhuar 3 automjete të drejtorisë MZSH, 2 automjete të Portit dhe 1 automjet i Shijakut, me mbi 20 forca zjarrfikëse dhe disa vullnetarë.

Për shkak të vështirësisë që paraqet terreni dhe erës që pengon në shuarjen e flakëve, në ndihmë të forcave zjarrfikëse janë bashkuar edhe trupa të Marinës si dhe punonjës komunalë nga bashkia Durrës.