Zjarrfikësit e Durrësit duket se do të përballen këtë verë me një situatë shumë të vështirë përsa i përket shuarjes së zjarreve.

Në një kohë kur vit pas viti regjistrohen temperatura gjithnjë e më të larta, problemi kryesor i zjarrfikësve mbeten mjetet e amortizuara që janë në përdorim që prej vitit 1970.

Fatmir Tare, komandant i policisë së shërbimit zjarrfikës në Durrës, në një intervistë për DurrësLajm tha se këtë vit është planifikuar shërbim 24 orë me zjarrfikëse në tre stacione kryesore; Durrës, Gjiri Lalëzit dhe Plazh dhe shërbimet e policisë janë angazhuar me shërbim të përforcuar. 

Furnizimi i mjeteve me ujë për të shuar zjarret pritet të bëhet jo vetëm nga Ujësjellësi, por edhe nga subjekte biznesi të cilat kanë depozita të mëdha në Gjirin e Lalëzit dhe në Manëz.

Detyrë emergjente u është lënë të gjithë subjekteve fizike dhe juridike që operojnë në zonën bregdetare dhe me gjerë që të marrin masa për sigurimin e skuadrave dhe mjeteve për parandalimin dhe për fikjen e zjarreve.

K.H.