Zona më e frekuentuar e qytetit të Durrësit, shëtitorja “Taulantia”, ka qenë thuajse e boshatisur tërësisht mbrëmjen e sotme.

Urdhri i qeverisë Rama për të mbyllur të gjitha lokalet, baret dhe restorantet në Durrës dhe në Tiranë deri në një njoftim të dytë ka dhënë efektet e para.

Ndërsa sot paradite, për shkak edhe të kohës së mirë, kjo zonë ishte shumë e frekuentuar, në mbrëmje vetëm ndonjë qytetar tek – tuk qarkullonte në të.

Kostoja e gjithë kësaj normal që rëndon në portofolin e dhjetëra e qindra bizneseve që ushtrojnë aktivitetin këtu apo në lagje dhe rrugë kryesore dhe periferike të Durrësit, por është një masë e domosdoshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, që regjistroi viktimën e parë. Një 73-vjeçare nga Durrësi humbi jetën mesditën e sotme.

Megjithë masat shtrënguese të qeverisë dhe thirrjeve të vazhdueshme për të shmangur qëndrimet në grupe të vogla, për të respektuar distancën të paktën 1 metër larg njëri nga tjetri, për të evituar lëvizjet e panevojshme dhe për të qëndruar në shtëpi, qytetarët durrsakë shfaqeshin sot mjaft indiferentë.

Kujtojmë se vetëm në 24 orët e fundit, në vendin fqinjë, Itali, humbën jetën 196 persona nga koronavirusi, duke arritur ne 827 persona, ndërsa numri i të prekurve i ka kaluar 12 mijë persona.