Një adoleshent vetëm 16-vjeçar humbi jetën sot në Durrës, pasi u përplas nga treni paraditen e sotme.

Samuele Kokomani mbylli sytë në spital, pasi nuk arriti t’i bënte ballë operacionit të cilit iu nënshtrua.

Djaloshi 16-vjeçar ishte nga fshati Hardhishtë i Shijakut, por prej disa vitesh jetonte me familjen në lagjen nr.13, në zonën e plazhit në Durrës.

Mbajtja e kufjeve në vesh gjatë kohës kur ecte përgjatë shinave të trenit në hyrje të Durrësit i kushtoi jetën nxënësit të vitit të parë të gjimnazit “Hysen Çela”, dega Hoteleri-Turizëm.

DurrësLajm mëson se Samuele ishte fëmija i parë i familjes dhe ka edhe dy vëllezër të tjerë më të vegjël.

Sipas dëshmisë së të njohurve, 16-vjeçari ishte një djalë model dhe mjaft i edukuar.   

“Zoti e mori pranë vetes sepse ishte shumë i mirë”,– tha për DurrësLajm një i njohur i adoleshentit që u nda nga jeta në mënyrë tragjike.

Samuele ishte duke u kthyer në shtëpi pasi ishte thirrur nga prindërit e tij, por fatkeqësisht nuk arriti të kthehej kurrë i gjallë.

Vdekja e tij ka tronditur të gjithë shokët dhe shoqet e klasës, si dhe stafin pedagogjik që thonë veç fjalë shumë të mira për Samuelen 16-vjeçar, që e mbylli jetën pa e nisur mirë.

Por njëkohësisht vdekja e tij duhet të shërbejë si apel për të gjithë të rinjtë që ecin të shkujdesur me telefon në dorë dhe kufje në vesh. Rreth një vit më parë, po në Durrës, një vajzë e re u aksidentua rëndë nga treni ndërsa po ecte me kufje në vesh.