Furrat e bukës kanë kaluar në sitën e specialistëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Dy furra janë gjobitur pasi nuk plotësonin kushtet e paketës higjeno-sanitare të detyrueshme për t’u zbatuar. AKU-ja i bën apel qytetarëve të denoncojnë rastet kur bukët tregtohen në qese plastike e jo letre, si dhe të gjitha subjektet e paliçensuara që tregtojnë këtë produkt
Dhjetë inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Durrës kanë pritur orët e vona të mbrëmjes për të ushtruar aksione të rrufeshme mbi furrat e bukës të cilat abuzojnë me konsumatorin. Aksioni ka nisur nga Lagjja nr.1, pranë Muzeut Arkologjik, për të vazhduar më pas në të 100 furrat e bukës që operojnë në Durrës. Dy furra buke janë gjobitur me nga 5 milionë lekë të vjetra, pasi gjatë kontrolleve të ushtruara në fundjavë kanë rezultuar se nuk plotësonin kushtet higjeno-sanitare për tregtimin e bukës dhe gjithë proçesit të punës në tërësi. “Zbatimi i paketës higjeno–sanitare e cila nis me magazinimin e miellit, kushtet e prodhimit të bukës, kushtet e ruajtjes, shpërndarjen etj. është kryer me mangësi qoftë për mbrojtjen nga brejtësit apo insekte të tjera, por edhe në tërësi me pastërtinë e mjedisit ku prodhohet buka”,- ka pohuar kreu i AKU-së në Durrës, Gëzim Ylli. Sipas Yllit problemi kryesor për konsumatorin vazhdon të mbetet ambalazhimi i bukës në qese plastike. “Qeset e plastikës duhet të hiqen nga përdorimi përsa i përket bukëve. 10% e furrtarëve vijojnë të shpërndajnë bukë në qese plastmasi”,- tha në një prononcim për “Dyrrah” kreu i AKU-së në Durrës.
Ndërkohë kryeinspektorja Firdes Troplini tha se,- “objekt i kontrollit rrufe në prag të stinës së nxehtë është ambalazhi i bukës, kushtet në të cilat prodhohet ajo, përbërësit e saj, pesha, por edhe kushtet në të cilat ruhet mielli në magazina”. Specialistët e AKU-së janë shprehur se ambalazhi plastik dhe prerja e bukës me makineritë që janë përdorur deri tani rezultojnë mjaft të dëmshme për shëndetin e konsumatorit. Shkeljet janë konstatuar pas orës 20.00 të mbrëmjes deri në orët e para të mëngjesit. Në këtë interval kohor prodhuesit e bukës e shpërndajnë atë pa ambalazh letre, por në qese plastike.
Shqetësimi i ngritur gjerësisht nga AKU, e cila kërkon edhe mbështetjen e konsumatorit, është tregtimi i bukës nga subjekte të pa liçensuar. “Kemi verifikuar raste që na bëhen të ditura nga qytetarët, të cilët denoncojnë furrtarët ilegalë që prodhojnë bukë në shtëpitë e tyre. Në raste të tilla, gjoba është 5 milionë lekë të reja dhe ndjekje penale për personat, të cilët prodhojnë bukë në mënyrë ilegale dhe të pakontrolluar”,- nënvizoi për këtë çështje drejtori Ylli.
Kreu i AKU-së tha se buka që tregtohet me qese plastmasi, paraqet rrezik kontaminimi nga nxehtësia. Përveç tregtimit të saj në qese letre AKU kërkon që buka të shoqërohet me etiketë. Kjo masë duhet marrë për shkak të ndotësve kimikë që mund të kenë plastikat, të cilat përgjithësisht përfitohen nga riciklimi. “Ne do të këmbëngulim dhe do të kërkojmë që buka të bëhet me etiketë. Bizneset të bëjnë kërkesë dhe të pranojnë etiketën për bukën apo produktet e tjera që vijnë nga furrat. Gjithashtu, do të vazhdojmë me kontrollin e kushteve të higjienës ku prodhohet ajo”,- tha drejtori i AKU-së në Durrës.
Specialistët e ushqimit pranojnë se problematike paraqitet situata edhe për mishin e vajin, produkte këto ku është zbuluar përdorimi i ngjyruesve tej normës. “Çdo produkt i ambalazhuar ka përbërës konservantësh, por problemi është te masa, te cilësia e këtyre konservantëve e përbërja e tyre”,- sqarojnë specialistët.
Mielli i bardhë përdoret për bukën e zezë
Miellit të lirë, të bardhë dhe të një cilësie të dobët prodhuesit i shtojnë ngjyrues dhe qytetarëve u serviret një bukë e zezë, shpesh edhe dietike. Shqetësimi është ngritur më parë nga shoqatat e mbrojtjes së konsumatorëve, ndërsa tani vetë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaron se abuzohet me sasinë e majasë dhe ngjyruesit. AKU-ja i fton konsumatorët të denoncojnë rastet e tilla kur kanë dyshime se buka, ushqimi bazë i tryezave tona, ka përbërës jo cilësorë, apo në disa raste edhe të dëmshëm për organizmin. Edhe Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit muaj më parë ka tërhequr vëmendjen e strukturave përgjegjëse për këtë problem që na prek të gjithëve.