Kompania Sori-Al SHPK ka reaguar pas vendimit të Autoritetit Ushqimor Kombëtar (AKU), i cili sot mori vendimin për t’i bllokuar aktivitetin.
Në një deklaratë të bërë publike, kompania e ka quajtur vendimin e AKU për bllokimin total të aktivitetit si jo të mbështetur mbi konkluzionin përfundimtar laboratorik, që të provojë ekzistencën e një episodi të helmimit ushqimor të konfirmuar. Sipas kompanisë, ky vendim i marrë është i pabazuar në procedura sipas ligjit.
“Në vijim të deklaratës publike të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), si dhe përballë interesit të lartë publik dhe perceptimit të krijuar gjatë këtyre ditëve, Shoqëria “SORI-AL” sh.p.k. ndjen detyrimin moral të vijojë të sqarojë opinionin publik mbi rrethanat reale faktike dhe dokumentacionin zyrtar të administruar deri më tani lidhur me ngjarjen e datës 06.05.2026 pranë Akademisë së Sigurisë.
Referuar dokumentacionit zyrtar të administruar nga Shërbimi Infektiv pranë QSUT, personat e paraqitur kanë shfaqur një tablo klinike të lehtë deri të mesme, ndërsa diagnoza është referuar vetëm si “gastroenterit akut i dyshuar” dhe jo si helmim ushqimor i konfirmuar laboratorikisht. Po ashtu, sipas të njëjtit dokumentacion mjekësor, pacientët kanë marrë trajtim simptomatik dhe janë larguar nga spitali brenda një intervali shumë të shkurtër kohor, nga 1 deri në 3-4 orë, në gjendje të stabilizuar dhe pa pasoja serioze për shëndetin e tyre.
Nga ana tjetër, raportet laboratorike dhe epidemiologjike të administruara deri më tani nga Instituti i Shëndetit Publik nuk kanë identifikuar patogjenë viralë apo bakterialë tek personat e ekzaminuar. Po ashtu, tamponët rektalë të personelit kanë rezultuar negativë për Salmonella dhe Shigella, ndërsa analizat e ujit kanë rezultuar brenda parametrave të lejuar sipas standardeve në fuqi.
Është gjithashtu me rëndësi të theksohet se vetë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë publik faktin se nga 9 mostra të kampionuara, 8 prej tyre kanë rezultuar brenda normave ligjore dhe mikrobiologjike të lejuara, ndërsa pretendimi për jokonformitet lidhet vetëm me një kampion të vetëm ushqimor. Ky kampion i përket vaktit të darkës, produkt i pakonsumuar, dhe nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me rastin e dyshuar për helmim të raportuar në datën 06.05.2026, pasi vetë episodi i raportuar lidhet me vaktin e drekës dhe jo me vaktin e darkës.
Megjithatë, ajo që nuk sqarohet në deklaratën publike të AKU-së është fakti se masa ekstreme e bllokimit total të aktivitetit nuk është mbështetur mbi ndonjë konkluzion përfundimtar laboratorik që provon ekzistencën e një episodi helmimi ushqimor të konfirmuar, por mbi raportin epidemiologjik të Institutit të Shëndetit Publik. Ndërkohë, vetë ky raport epidemiologjik nuk rekomandon mbylljen e aktivitetit, por rekomandon monitorim, masa korrigjuese higjieno-sanitare dhe ndjekje të mëtejshme të situatës.
Pavarësisht kësaj, ndaj subjektit janë marrë masa ekstreme administrative, përfshirë bllokimin total të aktivitetit dhe vendosjen e gjobave të shumëfishta, masa të cilat janë në tejkalim të kompetencave të parashikuara nga Neni 46, pika 2 e Ligjit për Inspektimin dhe Neni 47 i Ligjit “Për Ushqimin”.
Shoqëria “SORI-AL” konsideron se çdo masë administrative duhet të mbështetet mbi prova të plota, standarde ligjore dhe respektim rigoroz të procedurave administrative, dhe jo mbi interpretime paraprake apo trajtime që krijojnë impakt publik disproporcional përpara përfundimit të hetimeve.
Pavarësisht situatës së krijuar, shoqëria jonë ka marrë menjëherë masa të shtuara higjieno-sanitare, duke realizuar pastrim të thelluar, dezinfektim dhe ndërhyrje profesionale D.D.D.
Shoqëria “SORI-AL” do të vijojë të bashkëpunojë me institucionet kompetente, duke ndjekur njëkohësisht të gjitha rrugët administrative dhe ligjore për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të saj të ligjshme”, shkruan Shoqëria “SORI-AL”.
DEKLARATA E AKU – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vijim të informimit publik dhe transparencës bën me dije, se referuar çështjes për dyshim helmimi të disa kursantëve pranë Akademisë së Sigurisë, Sauk, nga AKU janë kampionuar nëntë mostra (lëndë të para dhe produkte të gatshme).
Nga laboratori i Referencës ISUV informohemi se tetë mostra të kampionuara kanë dalë brenda normave dhe një kampion makarona produkt i gatshëm ka rezultuar jokonform për ngarkesë mbi norme Escherichia.Coli dhe B staphylocoçus koagulaze pozitive, mostër kjo e kampionuar në kuzhinën brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, Sauk.
Për këto gjetje AKU mori masën e ndërprerjes së aktivitetit, deri në plotësimin e kërkesave ligjore nga OBU për pastrimin dhe dezinfektimin e ambienteve dhe pajisjeve të punës.
Në vijim të ndjekjes së gjurmueshmërisë, në adresën Garnizoni “Skënderbej” pranë Forcave të Armatosura, ku është kryer prodhimi i këtyre produkteve, referuar konstatimeve të institucioneve shëndetësore, mbi raportin përfundimtar të hetimit epidemiologjik për rezultatet jokonforme për tregues të higjenës, evidentuar në kampionët në ruajtje si dhe në disa prej pajisjeve të punës,
AKU mori masa për ndërprerjen e aktivitetit të subjektit SORI-AL edhe në adresën Garnizoni “Skënderbej” pranë Forcave të Armatosura.
Gjithashtu u vendos masë administrative me gjobë në vlerën 1,500,000 lekëve për ushqim të pasigurt dhe kushte higjieno-sanitare.
Subjektit iu la detyrë marrja e masave për kryerjen e procedurës së asgjësimit referuar produktit të bllokuar rezultuar jo konform.





