Pas shqetësimit të ngritur nga mediet për cilësinë e perimeve dhe frutave dhe abuzimit të fermerëve me to, Autoriteti Kombëtar për Ushqimin ka zhvilluar një aksion të gjerë në të gjitha pikat e grumbullimit të këtyre produkteve.
“Gjatë këtyre dy ditëve janë inspektuar një sërë subjektesh me këtë natyrë aktiviteti, duke u marrë mostra për analizim në laborator për mbetjet pesticide. Për rastet kur është konstatuar mospërmbushje e kërkesave ligjore, inspektorët kanë marrë masa administrative ndaj subjekteve. Shkeljet e konstatuara kishin të bënin kryesisht me mangësi në dokumentacionin për gjurmueshmërinë e produktit”,- njofton AKU.
Nga ana tjetër, AKU thekson në njoftimin për shtyp se:“perimet e prodhuara nga fermerët e Myzeqesë dhe kudo në vend janë brenda parametrave të sigurisë dhe standardeve ushqimore bashkëkohore”.
Për të parandaluar abuzimin me pesticide, AKU fton të gjithë qytetarët që “të denoncojnë menjëherë çdo subjekt që abuzon dhe cënon sigurinë ushqimore. Denonconi në [email protected], Numrin e Gjelbër pa pagesë 08007575, ose në rrjetet sociale të AKU – së”.
Njoftimi i plotë i AKU:
Më datë 27 dhe 29 Prill 2019, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), në kuadër të misionit të tij për garantimin e sigurisë ushqimore, ndërrmori një aksion monitorues në terren, duke bashkërenduar dhe koordinuar veprimtarinë inspektuese të Drejtorive Rajonale Fier dhe Berat.
Plani i monitorimit është organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së. Zbatimi i tij në terren, në zonat ku ushtrojnë aktivitetin e tyre Pikat e Grumbullimit të Frutave dhe Perimeve, po monitorohet nga drejtuesit dhe stafi i Drejtorisë së Menaxhimit dhe Inspektimit.
Referuar publikimeve nga disa media, në lidhje me shqetësimet e mundshme nga përdorimi i preparateve kimike (pesticideve) në fermat (serat) e zonave të Beratit e Fierit, trupat inspektuese të AKU-së po kryejnë verifikime në magazinat që ushtrojnë aktivitet për “Ruajtjen dhe Shitjen e Fruta – Perimeve me Shumicë”.
Gjatë këtyre dy ditëve janë inspektuar një sërë subjektesh me këtë natyrë aktiviteti, duke u marrë mostra për analizim në laborator për mbetjet pesticide. Për rastet kur është konstatuar mospërmbushje e kërkesave ligjore, inspektorët kanë marrë masa administrative ndaj subjekteve. Shkeljet e konstatuara kishin të bënin kryesisht me mangësi në dokumentacionin për gjurmueshmërinë e produktit.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon të jetë në shërbim dhe i përkushtuar për të adresuar problematikat e sigurisë ushqimore. Duke ushtruar kontrolle në operatorët e biznesit ushqimor sipas planit vjetor të kontrollit zyrtar dhe planeve sezonale të monitorimeve (rasti konkret Pikat e Grumbullimit të Fruta – Perimeve).
AKU konkludon se perimet e prodhuara nga fermerët e Myzeqesë dhe kudo në vend janë brenda parametrave të sigurisë dhe standardeve ushqimore bashëkohore. Për rrjedhojë, edhe të kërkuar nga vendet e BE-së, dhe kjo vërehet nga rritja e eksporteve të fruta-perimeve drejt vendeve si Greqia, Italia dhe vendeve të tjera evropiane. Pothuajse çdo ditë, nga Shqipëria dalin produkte (fruta, perime) me destinacion vendet e BE-së, dhe kjo tregon cilësinë dhe standardet europiane të produkteve shqiptare.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë menjëherë çdo subjekt që abuzon dhe cënon sigurinë ushqimore. Bashkohuni me AKU-në në betejën për të garantuar sigurinë ushqimore! Denonconi në [email protected], Numrin e Gjelbër pa pagesë 08007575, ose në rrjetet sociale të AKU – së.
AKU ju është mirënjohës për bashkëpunimin dhe kontributin tuaj, pasi siguria ushqimore është sfida jonë e përbashkët!





