Ulja e temperaturave ka sjellë krijimin e akullit në rrugët nacionale.
Sipas informacioneve më të fundit, shtresat e akullit kanë shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve në aksin rrugor Tiranë-Elbasan si dhe në rrugët që lidhin Korçën me komunat përreth.
Mësohet se dy automjete kanë rrëshkitur në Qafë Krrabë si pasojë e akullit por fatmirësisht nuk ka të lënduar në njerëz.
Sipas informacioneve, se në rrugë nuk është hedhur as kripë dhe as skorje për shkrirjen e shtresave të akujve duke e bërë pothuajse të pamundur qarkullimin e mjeteve në këtë aks rrugor.
Policia rrugore, për të bërë të mundur evitimin e aksidenteve ka bërë të mundur bllokimin e lëvizjes së automjeteve në aksin rrugor Tiranë-Elbasan deri në zhbllokimin e rrugës.
Ndërkohë probleme nga akulli ka pasur edhe në qarkun e Korçës ku shumica e akseve rrugore janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.
Kështu sipas informacioneve më të fundit, aksi rrugor Pogradec-Qafë Thanë, Korçë-Pogradec, Korçë-Kapshticë, Korçë-Qafë Qarri, Korçë-Dardhë janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.
Gjithashtu mësohet se vështirësi në qarkullimin e mjeteve, si pasojë e shtresave të akullit ka pasur edhe në akset rurale të qarkut të Korçës si psh rruga që të çon në fshatrat Niçë dhe Dërdush.
Ndërkohë prej disa ditësh vendi ynë është karakterizuar nga temperatuara të ulta të cilat në disa zona raportohet se kanë rënë deri në -6 gradë Celcius duke krijuar shtresa akulli në rrugë dhe për pasojë edhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve.





