Zona e humbjes së akullit të Grenlandës në tre dekadat e fundit është afërsisht 36 herë më e madhe se qyteti i Nju Jorkut tokë që po i lë vendin me shpejtësi luginave dhe shkurreve.
Sipas njw studimi tw ri, sasia e bimësisë në Grenlandë u dyfishua midis mesit të viteve 1980 dhe mesit të viteve 2010, pasi pjesët e vendit që dikur ishin të mbuluara me akull dhe borë u shndërruan në shkëmbinj djerrë, ligatina ose zonë shkurresh. Vetëm ligatinat u katërfishuan në atë kohë.
Duke analizuar imazhet satelitore, shkencëtarët zbuluan se Grenlanda kishte humbur 28,707 kilometra katrorë, rreth 11,000 milje katrorë akull në periudhën prej tre dekadash dhe paralajmëruan për një kaskadë ndikimesh që mund të kenë pasoja të rënda për ndryshimet klimatike dhe nivelin e detit, i cili mund tw ngrihet.
Temperaturat më të ngrohta të ajrit kanë shkaktuar humbjen e akullit, gjë që nga ana tjetër ka rritur temperaturat e tokës. Kjo ka shkaktuar shkrirjen e permafrostit, një shtresë e ngrirë vetëm nën sipërfaqen e Tokës dhe që gjendet në pjesën më të madhe të Arktikut, dhe kjo shkrirje çliron dioksid karboni dhe metan që ngroh planetin, duke kontribuar në ngrohjen globale më të madhe.
Shkrirja e permafrostit po shkakton gjithashtu paqëndrueshmëri të tokës, e cila mund të ndikojë në infrastrukturë dhe ndërtesa.
“Ne kemi parë shenja se humbja e akullit po shkakton reagime të tjera që do të rezultojnë në humbje të mëtejshme të akullit dhe ‘gjelbërim’ të mëtejshëm të Grenlandës, ku tkurrja e akullit ekspozon shkëmbin e zhveshur që më pas kolonizohet nga tundra dhe përfundimisht shkurret,” tha një nga Autorët e raportit, Jonathan Carrivick.
“Në të njëjtën kohë, uji i lëshuar nga shkrirja e akullit po lëviz sedimentin dhe baltën, dhe kjo përfundimisht formon ligatinat dhe rrafshnaltat”, shtoi ai.
Humbja e akullit po krijon atë që njihet si një lak reagimi. Bora dhe akulli zakonisht reflektojnë energjinë e diellit përsëri në hapësirë, duke parandaluar ngrohjen e tepërt në pjesë të Tokës. Por ndërsa akulli zhduket, ato zona thithin më shumë energji diellore, duke rritur temperaturat e sipërfaqes së tokës, gjë që mund të shkaktojë shkrirje të mëtejshme dhe ndikime të tjera negative.
Shkrirja e akullit gjithashtu rrit sasinë e ujit në liqene, ku uji thith më shumë nxehtësi se bora, gjë që rrit temperaturat e sipërfaqes së tokës.
Grenlanda është ngrohur me dyfishin e normës mesatare globale që nga vitet 1970, dhe autorët e studimit paralajmërojnë se temperaturat më ekstreme në të ardhmen ka të ngjarë, raporton CNN.
Grenlanda është ishulli më i madh në botë dhe është kryesisht i mbuluar nga akulli dhe akullnajat. Rreth 57,000 njerëz jetojnë në vend, i cili është një vend autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës. Pjesa më e madhe e popullsisë është vendase dhe shumë njerëz atje mbështeten në ekosistemet natyrore për mbijetesën e tyre.
Michael Grimes, autori kryesor i raportit, tha se rrjedha e sedimenteve dhe lëndëve ushqyese në ujërat bregdetare ishte veçanërisht problematike për komunitetet indigjene që mbështeten në peshkim, si dhe për gjuetarët në pjesë të tjera të ishullit.
“Këto ndryshime janë kritike, veçanërisht për popullatat indigjene, praktikat tradicionale të gjuetisë së të cilave mbështeten në stabilitetin e këtyre ekosistemeve delikate”, tha ai.
Për më tepër, humbja e masës së akullit në Grenlandë është një kontribues thelbësor në ngritjen e nivelit global të detit, një prirje që paraqet sfida të rëndësishme si tani ashtu edhe në të ardhmen.