Sepp Blatter hedh një akuzë të rëndë në kulmin e emocioneve të “Euro 2016”. Ish-presidenti i FIFA-s, i pezulluar për 6 vjet për korrupsion, thekson se ka qenë dëshmitar i trukimit të shortit në aktivitetet e klubeve nga Artemio Franchi, ish-presidentit të UEFA-s në vitet 1973-1983. 

Këto deklarata 80-vjeçari i dha për mediat argjentinase, të cilat ishin të interesuara për lidhjet e tij me presidentit të Federatës së Argjentinase të Futbollit, Grondona, i cili akuzohet gjithashtu se ka ndikuar në shortimin e grupit të përfaqësueses “Albiceleste” në “Brasil 2014”. “Ekzistonte vetëm një person në Europë që kishte pushtet për të trukuar shortin. Ai ishte Artemio Franchi.  E bënte gjithmonë kur hidhej shorti për klubet në kompeticionet europiane.” 

Një akuzë shumë e rëndë kjo e zviceranit, që nuk i specifikon rrethanat sesi trukohej shorti.  Blatter këmbëgul se ai kurrë nuk është bërë pjesë e trukimeve të shortit dhe nuk ka lejuar që kjo të ndodhte ne Botëror. “Teknikisht, trukimi i shortit është i mundshëm, por në FIFA kjo nuk ka ndodhur kurrë. Nuk ka ndodhur as në 1978 dhe as dy vite më parë në “Brazil 2014″. Mirëpo unë kam qenë dëshmitar i trukimit të shortit në nivel europian. Është e qartë që mund të ndodhë, por unë s’e kam lejuar.”

Blatter më pas shpjegon mekanizmat se si mund të paracaktohet një short. “Goglat para se të nisë shorti vihen në frigorifer, më pas mjafton t’i prekësh për të kuptuar se cilat janë të ftohta apo të ngrohta.”

Ish-kreu i qeverisë së futbollit botëror nuk jep asnjë detaj më shumë. Edhe ata që nuk kanë marrë pjesë kurrë në një short mund të aludojnë se me goglat e nxehta apo të ftohta shorti mund të trukohej. Madje në Shqipëri para çdo shorti nuk mungojnë batutat mes përfaqësuesve të klubeve për golat e nxehta apo të ftohta.