TIRANË, 2 shtator 2013 – E përditshmja Dita hap faqen e parë të saj më 2 shtator 2013 me një karikaturë, të shoqëruar me titullin burlesk “Kush e dhj.. u Durrësin!” (shih faksimilen). Në fakt, është një shkrim i gjatë i shtrirë në tri faqe me titullin “Rrëfej shkatërrimin e organizuar të Gjirit të Durrësit” me autor Arben Meçaj, ish-bashkëpunëtor i Berishës dhe ish-kreu i Punëve Publike dhe Territorit në ministrinë e Bashës. Ja dy fragmente nga shkrimi:

1. “Aktualisht gjykoj se Gjiri i Durrësit jo vetëm nuk ka më funksion turistik (përveçse është pranë detit), por ai ka humbur dhe funksionin e tij urban. Ai sot është i pabanueshëm… Këtë e tregon dhe bllokimi fatal i tregut imobiliar. Këtë e tregojnë mijëra apartamente të pashitura në zonë. Humbje shumë e madhe për një vend të vogël. Bravo, z. Basha, ke me çfarë të krenohesh sot në Durrës”.

2. “Në plazhin e Durrësit, Policia Ndërtimore kishte një strukturë të posaçme në varësi të drejtpërdrejtë nga Tirana. Në krye të saj, fatkeqësisht një tiranas me prirje të theksuara prej babaxhani. E bënte pazarin për shtatë palë qejfe. Doje të ndërtoje? Kishe ‘Baken’ [personazh filmi i interpretuar nga Mjeshtri i Madh i Punës, Mirush Kabashi – “Dyrrah”-u]. Të habiste kuraja dhe guximi me të cilin ky individ mbyllte pazaret pa ia bëri syri xixë, se si i bënte ballë presionit nga sipër. Pa e zgjatur, për një muaj rresht organizonim deri edhe bllokime me grupe dhe procesverbale ministrore të ndërtimeve dhe të strukturave për të cilat kryeministria, shpesh edhe vetë kryeministri, dërgonte letra deri edhe urdhra për të përsëritur veprimet. Por Bakja nuk donte t’ia dinte. Ndërtime, prerje, shkatërrim, rrumpallë kudo në plazh. Më në fund me propozimin tim në një mbledhje me ministrin fillojmë procedurë ligjore për shkarkimin e Bakes. Firmoset dokumenti i shkarkimit nga ministri, protokollohet dhe sapo bëhet gati për t’u nisur për ekzekutim, ndodh hataja. Një telefonatë (nuk ishte Berisha) dhe më besoni që ministri, ai i qeshuri, u ngrit në këmbë gatitu. U bë i vogël, po i vogël fare. Si i zënë në faj përgjigjet shkurt, me një zë të mekur duke iu marrë fryma: Si urdhëron, si urdhëron, pa merak zoti X. I zverdhur, ai, ministri i gjatë e gjithnjë buzagaz, u zhyt në kolltukun e lëkurës. Pasi mori veten, më drejtohet: Arben, ndërprite procedurën. Procedura natyrisht u ndërpre, urdhri i ministrit dhe procedimi penal ndodhen akoma në dosjen time. Bakja vazhdoi drejtor, z. X vazhdoi karrierën, lart madje, lart fare madje. Koha kaloi, por ajo fytyrë prej ministër-kufomë, e zhytur kruspull pa frymë, pa jetë në kolltukun e lëkurës mbetet edhe sot e gjallë në koshiencën time. E shoh sot këtë personazh në podium, shpesh duke ngritur zërin, duke bërë të fortin dhe… nënqesh… Bakja, ai që shteti i kishte ngarkuar një detyrë, vazhdoi “gjobë-vjeljen”, Protektori i tij z. X vazhdoi me “sukses dhe meritë” karrierën. Ministrit [Lulzim Basha] i erdhi buzëqeshja. Gjiri i Durrësit pësoi fatin e nënshkruar nga “Bakja”, ministri, Zotërinjtë atje lart”.

Poshtë në foto: ndërtesa që po bën një ministër, deputet i PD-së në plazhin e Durrësit (denoncim nga një qytetar)

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/