Ata bëjnë mirë të mblidhen për të diskutuar e miratuar paketën fiskale e buxhetin se e kanë lënë qytetin gjashtë muaj pa buxhet e investim
DURRES, 28 maj 2013– Një ditë pas deklaratës së këshilltarëve të djathtë, të cilët në një prenoncim për mediat bënë publike, se i janë drejtuar prokurorisë së Rrethit Durrës me një kallzim penal kundrejtë kryebashkiakut Vangjush Dako, ka reaguar ky i fundit.
Dako, e cilëson si të padrejtë reagimin e këshilltarëve të djathtë, duke pohuar se taksat dhe tarifat i miraton vetëm këshilli bashkiak, duke hedhur poshtë pretendimin se bashkia ka kaluar tavanin prej 10 për qind të vlerës së përcaktuar nga ligji nr. 9632, datë 30.10.2006 "Për taksat vendore" miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
"Ne po vjelim taksat për biznesin e vogël sipas paketës se miratuar në vitin 2012. Pra, këshilli bashkiak nuk është mbledhur dhe ne nuk kemi një paketë të re fiskale për këtë vit. Kur, të miratohet do të bëjmë llogaritë në fund të vitit nëse bizneset do paguajnë më lekë, ose jo. Këshilltarët e PD-ës bëjnë mirë të mblidhen për të diskutuar e miratuar paketën fiskale e buxhetin se e kanë lënë qytetin gjashtë muaj pa buxhet e investim", tha në reagimin e tij kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako.
Ndërkaq, përsa i përket padisë penale kundrejtë tij nga këshilltarët e djathtë, ku këta të fundit i kërkojnë prokurorisë të hetojë lidhur me provat e faktet e pagesave të biznesit të vogël në Durrës, Dako tha se padia në prokurori është veprimi i rradhës që këshilltarët e djathtë bëjnë sa herë që ka zgjedhje.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





