27 Shtator 2014 – Shqipëria humbet një tjetër sportist cilësor, i cili ka vendosur të përfaqësojë një shtet tjetër në arenën ndërkombëtare. Kampioni absolut në Shqipëri në sportin e mundjes, Sahit Prizreni, vetëm pak ditë më parë është pajisur me pasaportë australiane, cka i jep mundësinë të garojë nën siglën e vendit të kangurëve në kompeticionet më të rëndësishme ndërkombëtare. Arsyet e këtij vendimi 31-vjecari i lindur në Kukës, i shpjegon në një prononcim.
"Nuk më lanë asnjë mundësi për t’u stërvitur dhe për të përfaqësuar Shqipërinë në kompeticionet europiane. Më përjashtuan nga aktivitetet dhe më mbyllën dyert e palestrave. Vetëm para pak ditësh kam marrë pasaportën australiane si dhe lejen për të garuar për këtë shtet".
Kampioni shqiptar i mundjes, drejton gishtin nga drejtuesit më të lartë të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, të cilët i bën përgjegjës për pamundësinë për të përfaqësuar Shqipërinë.
Por cilat janë objektivat e Prizrenit me flamurin australian?
"Objektivi im është pjesëmarrja në Olimpiadë dhe në kampionatin botëror, ku synoj të jem në treshën e parë".
Sahit Prizreni është kampion i padiskutueshëm i mundjes shqiptare që nga viti 1995, ndërsa arritjet më të mëdha në kompeticionet ndërkombëtare i ka shënuar në 2002 me medaljen e bronxtë në kampionatin europian për të rinj që u zhvillua në Tiranë, në 2007 ka zënë vendin e tretë në botërorin e zhvilluar në Baku, ndërsa në 2011 është shpallur nënkampion europe në Dortmund të Gjermanisë. Prizreni ka përfaqësuar Shqipërinë edhe në olimpidatat e 2004 dhe 2008, madje në Pekin ka qenë flamurmbajtësi i delegacionit shqiptar.





