· Për disa vite Agjencia Shtetërore për Bullgarët në Diasporë u ka dhënë në mënyrë të paligjshme shtetasve të huaj certifikata për origjinën bullgare pa dokumentet përkatëse. Dhe në sajë të certifikatave kanë marrë pasaporta bullgare me procedurë të thjeshtuar. Bëhet fjalë për mijëra raste
DURRËS, 27 shkurt 2014 – Edhe disa durrsakë që kanë ardhur nga Kukësi, Golloborda, Prespa kanë marrë pasaporta bullgare, duke u vetë-deklaruar si anëtarë shoqatash të bullgarishtfolësve në Shqipëri, por që nga prokuroria e Sofes konsiderohen si të dhëna në kundërshtim me ligjin përkatës. Në Bullgari ka shpërthyer skandali i pasaportave që u janë dhënë shqiptarëve dhe kosovarëve, të cilët pretendojnë se janë bullgarë, për ta pasur të lehtë të lëvizin në BE.
AGJENCIA
Për disa vite Agjencia Shtetërore për Bullgarët në Diasporë u ka dhënë në mënyrë të paligjshme shtetasve të huaj certifikata për origjinën bullgare, njofton gazeta “Trud”, referuar Prokurorisë Supreme Administrative të Bullgarisë, e cila kontrolloi veprimtarinë e institucionit. Inspektimi ka konfirmuar se të huaj kanë marrë certifikata të origjinës bullgare, pa dokumentet përkatëse. Dhe në sajë të certifikatave kanë marrë pasaporta bullgare me procedurë të thjeshtuar. Bëhet fjalë për mijëra raste. Këtë praktikë e ndaloi zëvendësministri i Drejtësisë Ilia Angelov, duke sinjalizuar kryeprokurorin Sotir Cacarov, i cili urdhëroi verifikimin.
4 LIBRAT
Prokuroria ka verifikuar 810 certifikata, të zgjedhura rastësisht, që u janë dhënë të huajve, në vitet 2011-2013. Në 717 prej tyre u gjetën vetë-deklarime, por mungonin dokumente që provonin origjinën bullgare. Prokuroria e konsideron këtë gjë shkelje të ligjit për shtetësinë bullgare, sipas të cilit për të marrë një çertifikatë të origjinës bullgare, i huaji duhet të ketë të paktën një të afërm bullgar – baba, nënë, gjyshe, gjysh. Zyrtarët e Agjencisë për Bullgarët në Diasporë u shfajësuan, duke thënë se çertifikatat e origjinës bullgare janë dhënë në bazë të katër librave: “Jo mashtrim, por gënjeshtër mbi gagauzët” të Emil Bojev-it, “Nëna Bullgari dhe pasardhësit e saj” të Jordan Kolev-it, “Bullgarët në Shqipëri dhe Kosovë” dhe “Bullgarët nga Golloborda, Shqipëri”. Të gjithë këta libra tregojnë se në vendet fqinje me Bullgarinë ekzistojnë komunitete bullgare, por nuk mund të jenë bazë dhënien e çertifikatës së origjinës bullgare, pasi përveç maqedonasve, të cilët mbajnë emra të sistemit emëror bullgar dhe prapashtesa në mbiemrat, karakteristikë për Bullgarinë, çertifikata kanë marrë dhe njerëz, në emrat e të cilëve nuk kanë asgjë bullgare dhe që nuk dinë asnjë fjalë bullgarisht.
SHOQATAT NË SHQIPËRI
Disa shtetas nga Kosova dhe Shqipëria kanë marrë çertifikata origjine bullgare vetëm në bazë të deklarimeve se janë anëtarë organizatash të caktuara – Bashkimi Rinor “Gora”, Shoqata Kulturore-Arsimore e Bullgarëve Myslimanë “Bëllgarski muhamedani”, Shoqata “Prosperitet Golloborda” me kryetar Haxhi Pirushi, krijuar në vitin 2000 dhe Shoqata “Bëlgarite v Albanija” me kryetar Gëzim Kurti, krijuar në vitin 2011. Madje, sajti i Agjencisë shtetërore të diasporës njeh dhe dy shoqata të tjera në Shqipëri: “Klubi për miqësi dhe bashkëpunim ‘24 Maj’” me president Pande Naum, krijuar më 16 maj 2008; shoqata kulturore-arsimore “Ivan Vazov” me kryetar Zehrudin Dokle, krijuar në vitin 1999. Asnjë nga këto organizata nuk njihen zyrtarisht nga bashkimi i bullgarëve në diasporë, deklaroi prokuroria. Gjithashtu gjatë kontrollit janë gjetur raste kur aplikanti ka paraqitur të gjitha provat për origjinën bullgare, por u është refuzuar dhënia e vërtetimit. Sipas prokurorisë, të gjitha këto të dhëna tregojnë se midis të huajve me origjinë bullgare, kanë marrë shtetësinë bullgare dhe njerëz pa rrënjë bullgare.
Info
Çështja e procedurës së nënshtetësisë bullgare për pjesëtarët e komunitetit bullgar në Shqipëri ka marrë përshpejtim. Rreth 1000 vetë me prejardhje nga Bullgaria që jetojnë në Shqipëri kanë marrë pasaporta bullgare gjatë viteve të fundit, raporton media e Sofjes në tetor 2010. Në takimin e mbajtur në Durrës midis ministrit bullgar pa portofol, por me detyrën e mbështetjes së bullgarëve që jetojnë jashtë kufijve, Bozhidar Dimitrov, dhe përfaqësueseve të komuniteteve bullgare në Elbasan dhe Durrës, është bërë e ditur se ka ende probleme të pazgjidhura të lidhura me të dhënat e pafreskuara, apo të humbuar totalisht. Disa njerëz kanë pritur për nënshtetësinë bullgare për 4-5 vjet. Me përshtatjen e Ligjit të ri bullgar për nënshtetësinë, ka një vit afat brenda të cilit kandidati duhet të marrë nënshtetësinë bullgare, apo të marrë refuzim për kërkesën. Disa nga 1,326 aplikimet për nënshtetësinë bullgare janë dokumentuar nga 2001 deri 2007, teksa 299 vetë e kanë marrë pasaportën bullgare. Rreth 3 herë më shumë njerëz kanë siguruar pasaportat, pasi procedura është përshpejtuar që nga mesi i 2009-s, ka deklaruar ministri Dimitrov në Durrës në tetor 2010.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





