Tiranë, 13 gusht 2014 – Ejona Isufaj, kryeinspektorja e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve në kontrollin e universiteteve të pezulluara, ka paditur sot pesë persona, mes tyre edhe dy deputetë të Partisë Demokratike, për akuzat e bëra ndaj saj, se e ka false diplomën e doktoraturës. 

Kështu, ajo ka dorëzuar sot në Gjykatën e Tiranës dhe në Prokurori padinë për deputetët Genc Pollo e Luciano Boçi si dhe për 3 shtetasit Edmond Vlashaj, Drejtor i Pergjithshëm i Universitetit ‘Vitrina’; Aldorin Braho, administrator i Universitetit “Vitrina” dhe Pirro Çipo, pedagog në Universitetin ‘Vitrina’. 

Pasi ka dorëzuar padinë, zonja Isufaj ka sqaruar se mbi të është hedhur baltë pa të drejtë, duke sqaruar çështjen e doktoraturës së saj. 

“Kam studiuar në Universitetin e Sienës. Në 2005 u regjistrova në një institut për studime pasuniversitare, dhe mbarova në 2008. Kur tentova ta ekuivalentoj diplomën mora vesh që ky institut nuk njihet nga MAS. Nuk e dija që diploma ime është e pavlefshme. Unë jam sot në krah të 6 mijë studentëve që kanë pësuar të njëjtin fat, sepse atëherë shteti nuk ishte asgjëkund për të më lajmëruar. Ndaj vendosa që shpifjet e bërë ndaj meje t’i çoj para drejtësisë”, shprehet ajo.

Para disa ditësh, universiteti ‘Vitrina’, nisi një fushatë kundër Drejtoreshës së Inspektoratit të Kontrollit të Ligjshmërisë pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ejona Isufaj. Kjo e fundit u akuzua se kishte një diplomë doktorature të falsifikuar.

Isufaj ka punuar pranë ‘Vitrinës’ nga niveli i pedagoges, shefes së departamentit deri në atë të zëvendësrektores së universitetit.

Sipas universitetit ‘Vitrina’, Isufaj jo vetëm që nuk ka deklaruar doktoraturën e saj false, por ka pranuar pagën e universitetit, me një gradë shkencore që nuk i takonte me ligj.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/