Apeli i GJKKO ka dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg shtetasin Endi Braçaj, i cili përfitoi uljen 1/3 të dënimit, pasi i pandehuri pranoi gjykimin e shkurtuar.
E ndërsa shkalla e parë e GJKKO-së kishte rrëzuar akuzën e “grupit të struktuar kriminal”, Apeli i GJKKO-së e ka dënuar Braçajn edhe për këtë akuzë të ngritur nga SPAK.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Dhimitër Lara (kryesues), Engert Pëllumbi (anëtar), dhe Florjan Kalaja (anëtar), shpalli deklarimin fajtor të të pandehurit Endi Braçaj për për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim të veçantë, në formën e grupit të strukturuar kriminal, e parashikuar nga nenet 28 pika 4 dhe 283 pika 1 të Kodit Penal si dhe neni 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.
Apeli i GJKKO vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Endi Braçaj për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 333/“a”, pika 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
Bazuar në nenin 55 pika 3 të Kodit Penal bashkimin e dënimeve në një dënim të vetëm prej 10 (dhjetë) vite burgim.
Bazuar në nenin 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale uljen e dënimit me 1/3 duke e dënuar përfundimisht të pandehurin E.B. me 6 (gjashtë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
Njoftimi i plotë
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Dhimitër Lara (kryesues), Engert Pëllumbi (anëtar), dhe Florjan Kalaja (anëtar), më datë 16.09.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 46 akti, datë 23.07.2024 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit/të pandehurit I.K., kundër vendimit nr. 77, datë 16.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit E.B. për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/1 të K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 7 (shtatë) vite e 6 (gjashtë) muaj burgim.
2. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit E.B. për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a/2 të Kodit Penal.
3. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, të pandehurit E.B. i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 5 (pesë) vite burgim.
4. Vuajtja e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit të vendimit të caktimit të masës së sigurimit arrest në burg, në mungesë të tij ose vendimit gjyqësor të formës së prerë.
5. Shpenzimet procedurale në fazën e hetimeve paraprake dhe ato gjyqësore, mbeten në ngarkim të të pandehurit në pjesën që i takojnë.
6. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
– Ndryshim e vendimit nr. 34, datë 22.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në këtë mënyrë:
Deklarimin fajtor të të pandehurit E.B. për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim të veçantë, në formën e grupit të strukturuar kriminal, e parashikuar nga nenet 28 pika 4 dhe 283 pika 1 të Kodit Penal si dhe neni 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me10 (dhjetë) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit E.B. për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 333/“a”, pika 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
– Bazuar në nenin 55 pika 3 të Kodit Penal bashkimin e dënimeve në një dënim të vetëm prej 10 (dhjetë) vite burgim.
– Bazuar në nenin 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale uljen e dënimit me 1/3 duke e dënuar përfundimisht të pandehurin E.B. me 6 (gjashtë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
– Vuajtja e dënimit të kryhet në IEVP të sigurisë së lartë.
– Shpenzimet procedurale i ngarkohen të pandehurit.