Dënohet me 6 vite e 6 muaj burg juristi i Hipotekës së Lezhës për tjetërsimin e pronave.

Bledar Cara, banues në Lezhë, akuzohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i formularëve, vulave ose stampave” dhe “Shpërdorimi i tokës”, të kryera në bashkëpunim.

Ish-juristi i Hipotekës në Lezhë, u ekstradua nga Italia në korrik të vitit kaluar, pasi ishte shpallur në kërkim në vitin 2018.

DOSJA “339”

I ekstraduari nga Italia, Bledar Cara, është një nga 14 të akuzuarit të kuadër të dosjes “339”, të akuzuar për tjetërsimin e pronave në zonën e “Ranës së Hedhun” në Lezhë. Midis të akuzuarve është edhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka, motra e tij, Mimoza Ndoka, si dhe xhaxhai i tij Gjok Ndoka. Gjithashtu, të akuzuar nga Prokuroria janë edhe Erald Osmaci, Bledar Cara, Bled Ndoka, Lule Zeneli dhe persona të tjerë.

Në kuadër të hetimeve të kësaj dosjeje, janë sekuestruar 300 mijë m2 tokë në zonën e “Ranës së Hedhun” në plazhin e Shëngjinit me vlerë rreth 60 milionë euro. “Nga hetimi dhe shqyrtimi gjyqësor ka rezultuar se të pandehurit kanë vepruar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, me qëllim përvetësimin e pasurive të paluajtshme, të shtrira në pesë zona bregdetare të rrethit Lezhë: Ishulli Shëngjin, Kune-Vain, Ishulli Lezhë, Mali i Shëngjinit dhe Mali i Rrencit. Pjesëtarët e këtij grupi kriminal kanë vepruar me një mënyrë organizimi në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe kanë përfituar sasi të mëdha pasurish të paluajtshme, të cilat jo vetëm që nuk janë tokë bujqësore, por rezultojnë të jenë vijë bregdetare rërë, sipërfaqe lagunash, kënetë, kanal, pyje, kullotë”, thuhet në dosjen e SPAK-ut të 3 shkurtit 2021.