SPAK njoftoi se do t’i kërkojë Kuvendit autorizimin për arrestimin e deputetit të Partisë Socialiste Alqi Bllako, pasi emri i tij del në hetimet për aferën e inceneratorit të Fierit.
Nga hetimet e kryera rezulton se Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 14,964,900 lekë.
“Së katërti, nga hetimet e kryera kanë rëzultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë”, njofton SPAK.
Ndërkohë po ashtu bëhet e ditur se i është sekuestruar një apartament, nën pronësi të babait të tij, Edmond Bllako me vlerë 144,246 Euro, e përafërt me shumën e përfituar prej Alqi Bllakos në aferën e Incebneratorëve.
Caktimi i masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për pasurinë në zotërim të shtetasit E. B., lloji i pasurisë “apartament”, me sipërfaqe 99.48 m2, me adresë Tiranë, me vlerë sipas kontratës shitblerjes në shumën 144,246 Euro, që përmbush vlerën ekuivalente të përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Alqi Bllako në shumën 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.